Vendosni fjalën kyçe....

Faktet juridike- Suela Musta, “kokë turku”


Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajnaj, zbriti mesditën e së Premtes në Elbasan për të bërë vetë publike rezultatet e një hetimi të nisur kundër krimit të organizuar, por që pati arritjen kryesore arrestimin e dyshimtë të anëtares së Autoritetit të Medias Audiovize (AMA), gazetaren Suela Musta.

Në një deklaratë të gjatë, të mbushur me iniciale dhe ngjarje të rënda kriminale të ndodhur në vitet e fundit në Elbasan, Hajnaj deklaroi se ishin shoqëruar disa persona për atentatet, ndërkohë që u arrestuan disa të tjerë që lidheshin me aktivitetin e palicensuar të një operatori televiziv kabllor.

Për këtë pjesën e dytë, Hajnaj deklaroi se, “si rezultat i hetimeve u arrit që përmes provave ligjore të dokumentohej aktivitetit korrruptiv i 8 shtetasve, si dhe u ekzekutuan vendimet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan për të cilët është caktuar masa e sigurisë “Arrest me Burg”.

Sipas numrit dy të Policisë Shqiptare, këta 8 persona dyshohen për veprat penale: “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Pikërisht, në këto detaje mund të konstatohet ajo që do e shndërrojë operacionin “e bujshëm” në një blof të rëndë institucional. Të paktën, sa i përket rolit të Suela Mustës dhe veprave penale që mund t’i atribuohen.

Siç ka raportuar më parë “Boldnews.al”, përfshirja e anëtares së AMA-s, sipas burimeve nga grupi hetimor është i tillë: Shtetasi Bledar Karaj, person i afërm me familjen Çapja, nëpërmjet Andrea Nathanailit, zyrtar i AMA-s, njëkohësisht gazetar dhe pedagog i degës së gazetarisë në Tiranë, ndërhynte tek anëtarja e këtij institucioni, Suela Musta, për heqjen e gjobave administrative të vendosura ndaj një operatori kabllor në Elbasan.

Po sipas këtyre burimeve, anëtarja Musta, më tej, ndërhynte tek anëtarët e tjerë të AMA-s për të hequr penalizimet ndaj kabllorit të Bledar Karaj.

Kaq është pak a shumë fabula, e renditur nga burimet hetimore, situatë e cila e përfshiu Suela Mustën në statistikat e institucioneve ligjzbatuese. Por, referuar këtyre të dhënave dhe renditjes së veprave penale të bërë nga Aida Hajnaj, konstatohen disa problematika thelbësore, nëpërmjet të cilave Suela Musta mund të konsiderohet si “kokë turku”.

Po i analizojmë me radhë veprat penale që i atribuohen arrestimeve për “kabllorin”:

Vepra e parë është “korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Ky nen, në fjalë më të thjeshta, penalizon personat që tentojnë/realizojnë pagesën e rryshfetit tek zyrtarët administrativë. Pra, qartësisht, në këtë vepër nuk përfshihet Suela Musta.

Vepra e dytë është “korrupsioni aktiv i zyrtarëve të lartë”. Ky nen penalizon këdo që synon apo realizon lidhjen korruptive me një kategori zyrtarësh, të cilët konsiderohen “të nivelit të lartë”. Anëtarët e bordit të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) janë zyrtarë të nivelit të lartë, të zgjedhur nga Parlamenti. Sipas kësaj vepre, atëherë duhet që Suela Musta t’i ketë ofruar apo dhënë para anëtarëve të tjerë të bordit të AMA-s për t’i hequr gjobat kabllorit të Bledar Karaj.

Nga të dhënat hetimore, rezulton se “ndërhyrja” ka dalë me sukses dhe gjobat janë hequr. Atëherë, nëse Suela Musta dyshohet për “korrupsion aktiv”, pra që ka ofruar para, atëherë anëtarët e tjerë, që kanë pranuar “ndërhyrjen”, duhet të merren nën hetim për “korrupsion pasiv”.

Por, Aida Hajnaj nuk përmendi as veprën penale të “korrupsionit pasiv” dhe as ndonjë hetim për anëtarët e tjerë të AMA-s. Politika penale në Shqipëri dhe në shumë vende të tjera të botës, është e orientuar kryesisht drejt goditjes së “korrupsionit pasiv”, pra rasteve kur zyrtarët shtetërorë pranojnë rryshfet për të vendosur sipas orientimeve të “pagatorëve”.

Duke ndjekur praktikën hetimore dhe logjikën normale, atëherë, nëse Suela Musta ka konsumuar “korrupsion aktiv” (pra, ka ofruar rryshfet), atëherë kolegët e saj, anëtarë të bordit të AMA-s kanë konsumuar “korrupsion pasiv”. Përsa kohë, nuk ka korrupsion pasiv, atëherë rrëzohet edhe korrupsioni aktiv i Suela Mustës. Apo, hetimi është mjaftuar vetëm tek Musta, pa “guxuar” të vijojë te zyrtarë më të fuqishëm të AMA-s?

Vepra e tretë penale, e renditur në konferencën për media të policisë së shtetit, ajo e “shkeljes së të drejtave të pronësisë industriale” nuk lidhet me anëtaren e AMA-s. Kjo vepër i atribuohet operatorit privat, i cili, në mënyrë të parregullt, shpërndan sinjalin televiziv të operatorëve të tjerë.

Në bazë të kësaj analize të thjeshtë juridike, dy janë mundësitë se si janë zhvilluar gjërat; – Ose Suela Musta nuk ka asnjë përgjegjësi penale dhe rasti i saj është përdorur për të mbuluar dështimin me hetimin për ngjarjet e rënda në Elbasan;

– Ose ajo është përdorur si “kokë turku”, për të fshehur një korrupsion akoma më të madh në radhët e Autoritetit të Medias Audiovizive.

Në të dy rastet, seria e institucioneve Polici-Prokurori-Gjykatë në Elbasan e kanë vendosur veten në një spirale abuzimi, me pasoja të rënda për integritetin e gazetares Suela Musta.

VINI RE: Shkrimi është pronësi intelektuale e “Boldnews.al”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *