Vendosni fjalën kyçe....

Para KPK-së Enkelejdi Hajro, gjyqtarja që “i shërben” Vjollca-Blushit


Enkelejdi Hajro u paraqit para Këshillit të Lartë të Drejtësisë në nëntor 2016, ku paraqiti kandidaturën e saj për kryetare të Gjykatës së Tiranës. Ajo duket se ka pasur shumë emocione pare vendimmarrëse.

Anëtari i KLD-së së asaj kohe, Gjin Gjoni, i drejton një pyetje të thjeshtë kandidates Hajro, që lidhej me mënyrën e menaxhimit të institucionit. “Çfarë mund të bëni më mirë, se sa paraardhësi Juaj, në drejtim e gjykatës”.

Përgjigja e Enkejeldi Hajros duhet të ketë shkaktuar ilaritet në sallë, megjithëse proces-verbali zyrtar nuk përmend të qeshura. Me fjalë të plota, si të kishte kryer zbulim të madh, Hajro shprehet: “Përgjigja ime e parë dhe e shpejt fare, mund të them vendosja e shenjave orientuese në gjykatë”.

Emocionet dhe hutimi duket se ndikuan që Enkelejdi Hajro të ngatërronte tërësisht “drejtimin” si aspekt menaxhues me “drejtimin” si nocion në horizont.

Por, nga hutimi në atë mbledhje, tashmë Hajro, e cila mori besimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të drejtuar gjykatën më të madhe në vend, ka forcuar pozitat e saj ndjeshëm.

Sot, kryetarja e Gjykatës së Tiranës duket se ka lidhur “fijet” me një prej lobingjeve më të fuqishëm politiko-mediatiko-financiar, të përfaqësuar nga dyshja drejtuese e Top Channel, Vjollca Hoxha dhe Ben Blushi.

Vetingu

Enkelejdi Hajro përballet të Mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili ka përfunduar procesin e Vetingut për kryetaren e Gjykatës së Tiranës.

Sipas njoftimit të KPK-së, trupa e komisionerëve përbëhet nga Olsi Komici, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia.

Ndoshta rastësi, por kjo trupë është e njëjta me atë që konfirmoi në detyrë shefen e Krimeve të Rënda, Donika Prela, pavarësisht problematikave të shumta që iu konstatuan prokurores nga vetë KPK, por edhe nga “Boldnews.al” dhe media të tjera.

Me shumë mundësi, Hajro do të ketë fatin e Prelës, pasi përballë do të ketë trupën e komisionerëve që kontrollohen plotësisht nga Qeveria. Olsi Komici ka qenë vartës i deputetit socialist Alket Hyseni. Valbona Sanxhaktari ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë e Ëngjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrit; dhe Roland Ilia, ish-vartës i Erion Veliajt.

Pra, trupa e komisionerëve duket më e mirë e mundshme për të plotësuar “vullnetet qeveritare”.

Për të kapur “vullnetin pozitiv” të qeverisë për Vetingun, kryetarja e gjykatës së Tiranës duket se ka shfrytëzuar dyshen Vjollca-Blushi.

“Favoret” për Vjollca-Blushin

Dyshja drejtuese e Top Channel-it ka disa llogari të hapura në Gjykatën e Tiranës. “Boldnews.al” ka raportuar më parë për disa raste, në të cilat shortet e zhvilluara nga kryetarja Enkelejdi Hajro, kanë përzgjedhur, në çdo rast, 3-4 emra, pavarësisht se gjykata e kryeqytetit ka një numër të lartë gjyqtarësh.

Dhe, siç është raportuar më parë, në çdo rast, gjyqtarët e përzgjedhur nga “shorti” i Hajros, kanë dhënë vendime në favor të Vjollca Hoxhës dhe Ben Blushit.

– Kompania “New Vision”, një bashkëpunëtore e vjetër e Top Channel, ka ngritur padi kundër televizionit, për shërbime të papaguara në vlerë rreth 500 mijë dollarë. “Neë Vision” fiton të drejtën me vendim gjykate. Por administratorja e Top Channel, Vjollca Hoxha, bën kërkesë në gjykatë për “pezullimin e ekzekutimit”.

Shorti për “pezullimin” përzgjedh gjyqtaren Teuta Hoxha. Ajo jep dorëheqjes, pasi ishte duke shqyrtuar një tjetër çështje, me palë Top Channel. Kryetarja e gjykatës së Tiranës, Enkejeldi Hajro zhvillon sërish procedurën dhe shorti përzgjedh gjyqtarin Ervin Pollozhani. Ky i fundit, në kundërshtim me procedurën, jep vendim në favor të Vjollca Hoxhës.

Ndërkohë, ky rast vijon gjykimin në themel nga gjyqtarja Marjana Shegani. E njëjta gjyqtare përzgjidhet “me short” për gjykimin e një tjetër padie të subjektit “New Vision” kundër Top Channel. Gjyqtarja Shegani jep dorëheqjen nga gjykimi i rastit të dytë dhe shorti përzgjedh gjyqtarin Julian Haxhiu.

Pra, në rastin “New Vision kundër Top Channel”, gjyqtarët e përzgjedhur me “short” ishin Teuta Hoxha, Ervin Pollozhani, Marjana Shegani dhe Julian Hoxha. Të njëjtët emra gjyqtarësh do të shihen edhe në vijim.

– Në janar 2016, Vjollca Hoxha, mbajtëse e 40% të aksioneve të Top Channel, ngre padi për pronësinë e televizionit ndaj dy aksionerëve të shumicës, Aurel Baçi dhe Albert Sino.

Shorti i gjykatës së Tiranës përzgjedh gjyqtarin Ervin Pollozhani, i cili jep dorëheqjen. Shorti i radhës, i zhvilluar nga Enkelejdi Hajro, përzgjedh gjyqtaren Teuta Hoxha, e cila cakton seancën pas vetëm 3 ditësh. Me dyshimet për një procedurë të paracaktuar, të paditurit Baçi e Sino kërkojnë përjashtimin e gjyqtares Hoxha.

Pa u marrë ende në shqyrtim kërkesa për përjashtim, gjyqtarja Teuta Hoxha zhvillon 3 seanca rresht, ku, në mungesë të paditurve, merr vendim kundër tyre.

– Një grup anëtarësh të Partisë “LIBRA”, të themeluar nga Ben Blushi, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Top Channel, vendosën që ta shkarkojnë atë nga funksionet drejtuese në Korrik 2018.

Padia e Blushit i drejtohet gjykatës së Tiranës dhe shorti i zhvilluar nga kryetarja Enkelejdi Hajro përzgjedh si gjyqtar Julian Haxhiu. Ky i fundit, në datën 22 Janar 2019 vendos të shpallë të pavlefshëm proces-verbalin e Forumit të “LIBRA-s” dhe rikthimin në gjendjen e mëparshme përsa iu përket Statutit dhe Kryetarit të partisë ‘LIBRA”.

– Një grup anëtarësh të partisë “LIBRA” kanë depozituar një tjetër padi kundër Ben Blushit në gjykatën e Tiranës. Shorti për këtë padi të dytë përzgjedh gjyqtaren Marjana Shegani, e cila, në 15 Shkurt 2019 vendos pushimin e çështjes, duke favorizuar sërish Ben Blushin.

– Ndërkohë, po nga Partia “LIBRA” është regjistruar në Prill 2019 një kërkesë për gjykim, të cilën po e gjykon gjyqtari Ervin Pollozhani.

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Boldnews.al”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *