Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë po ndodh me Europën? Ndryshimet politike që përfundojnë me dorëheqje


Ditët e fundit jeta politike në Europë ka pasur disa “surpriza”.

Kontinenti po lëviz dhe i pari që e hapi lojën ishte tashmë ish-kryeministri austriak, Sebastian Kurz. Ky i fundit thirri zgjedhjet e parakohshme pas videos së publikuar në plazhet e Spanjës, në të cilën u përfshi zëvendësi i tij, zv.Kancelari austriak Strache.

Videoja tronditi jo pak politikën austriake. I pari që u dorëhoq ishte Strache dhe vendimin e tij e pasoi edhe Kurz, me zgjedhjet e parakohshme që do mbahen në shtator.

Tërmeti në Austri u pasua nga dorëheqja e ish-kryeministres së Britanisë së Madhe, Theresa May. Pas disa muajsh të vështirë në të cilët ajo nuk qe në gjendje që të arrinte një marrëveshje për Brexit, mes lotësh ajo mbajti një fjalim para publikut britanik duke lajmëruar largimin e saj.

Vendi fqinj, Greqia, do zhvillojë gjithashtu zgjedhje të parakohshme pas rezultateve të zgjedhjeve për në Parlamentin Europian, ku partia qeverisëse Syriza u dërrmua nga Nea Demokratia me një diferencë prej 10% të votave. Pas kësaj humbjeje, kryeministri Tsipras ka thirrur zgjedhjet e parakohshme në vend.

Një tjetër vend ku mund të ketë zgjedhje të parakohshme është Italia. E njohur për mungesën e jetëgjatësisë se qeverisë, dy aleatët Di Maio dhe Salvini e kanë mbaruar periudhën e mjaltit  dhe muajt e fundit janë përplasur për shumë çështje të politikës së brendshme dhe asaj të jashtme.

5 Yje dhe Lega i fituan zgjedhjet duke u mandatuar për krijimin e qeverisë së re, por tashmë dallimet politike mes palëve janë bërë më të forta se kurrë me deklarata e kundërdeklarata mes krerëve të partive respektive e nuk do ishte çudi që Italia të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

Përfundimi i zgjedhjeve për Parlamentin Europian mund të provokojë të tjera zgjedhje të parakohshme në vendet e ndryshme të BE-së, siç ndodhi në Greqi, me Europën ku forcat e djathta po fitojnë gjithnjë e më shumë terren.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *