Vendosni fjalën kyçe....

Sot protesta e katërt kombëtare e opozitës


Opozita pritet të zhvillojë sot protestën e katër kombëtare.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike i kanë ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës masive së 11 majit kundër vjedhjes qeveritare, krimit, korrupsionit dhe blerjes së votës.

Qytetarë, simpatizantë dhe mbështetës të opozitës priten të nisen nga rrethet drejt Tiranës, për t’u bashkuar më pas në tubimin mbarëkombëtar përpara godinës së kryeministrisë, që do të nisë në orën 18:30.

Dy drejtuesit kryesorë të opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, kanë theksuar se kushti i tyre i panegociueshëm është largimi i kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, kjo do t’i hapë rrugë garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.

Në një video të shpërndarë dje në faqet e tyre në “Facebook”, Basha e Kryemadhi u kanë dhënë qytetarëve mesazhin e protestës.

“Një orë e re po troket. Me besimin te njëri-tjetri, tek forca e bashkimit, tek demokracia, tek Europa, do t’i hapim dyert e Europës. Kur të çlirohemi nga e keqja, kur të ndëshkojmë krimin dhe korrupsionin, kur vota të jetë e lirë, kur të luftojmë korrupsionin, të largojmë qeverinë e lidhur me krimin. Asgjë nuk i ndal shqiptarët kur bëhen bashkë. Asnjë hap pas për një Shqipëri si gjithë Europa.” – thuhet në videomesazhin e Bashës.

 “Për dinjitetin, për familjen, për kombin. Jo varfërisë, jo arrogancës, për drejtësi të barabartë për shëndetësi të barabartë, për shanse të barabarta. 11 maj, ora 18:30 para kryeministrisë.” – thuhet në videomesazhin e Kryemadhit.

Basha paralajmëroi dje se protestës kombëtare të opozitës do t’i bashkohen edhe 300 studentë të  Partive Popullore Europiane (PPE-EPP).

Nga ana tjetër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë vetëm një ditë para proteste, bëri thirrje që qytetarët të demonstrojnë pakënaqësitë në mënyrë paqësore dhe demokratike dhe mos përdorin dhunë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *