Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Korça: Më 30 qershor s’ka zgjedhje, ikja e Ramës domosdoshmëri kombëtare


Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka deklaruar nga Korça, se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do ketë më.

Në fjalën e tij para qytetarëve dhe mbështetësve të kësaj force politike, kryedemokrati theksoi se më 30 qershor nuk do ketë zgjedhje pasi opozita e bashkuar do bëjë çmos për ti pamundësuar ato.

“Data e zgjedhjeve të parakohshme nuk është e parëndësishme por zgjedhje me Edi Ramën Shqipëria nuk do të ketë më, një përdhunues serial i zgjedhjeve, koka e sistemit me krimin duhet të shkojë para drejtës. Ai nuk meriton të marrë pjesë në zgjedhje por të paktën ne duhet të kërkojmë që ai të mos të jetë kryeministër as i zgjedhjeve lokale, as i zgjedhjeve të përgjithshme. Ndaj kjo është betejë jetike dhe vendimtare për çdo shqiptar. Është e qartë se me 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje lokale. Çdo tentativë për një proces fallco, një proces të imponuar nga krimi do të përballet me qëndresë madhështore lagje më lagje, qytet më qytet, zgjedhje farsë në Shqipëri më 30 qershor nuk do të ketë. Ndaj rruga e zgjedhjeve politike është e qartë.” – tha Basha.

Më tej Basha theksoi se opozita e bashkuar do ndryshojë sistemin politik në vend duke rikthyer vlera europiane, ndërsa shtoi se parlamenti nuk do jetë kukull por kontrolluesi i qeverisë dhe do burojë direkt nga qytetarët.

“Sot nga Korça dua ta deklaroj prerë për ata që s’e kuptojnë:  Po, do të ketë një ndryshim të thellë të sistemit politik, do ketë rikthim tek vlerat evropiane të kontrollit e balancës. Parlamenti nuk do të jetë kukull, por kontrollor i qeverisë, prandaj na duhet një parlament që buron drejtpërdrejt nga qytetari. Për këtë arsye kemi nisur një debat që do të shtrihet kudo në Shqipëri. 100 deputetë me një senat, apo kombëtar proporcional me lista të hapura, apo sisteme të tjera që bëjnë të mundura primaret apo një president të zgjedhur nga populli, ne nuk kemi paragjykime.” – shtoi Basha.

Ai tha gjithashtu se qytetarët do pyeten për të gjitha vendimet e rëndësishme dhe për këtë do shërbejë ligji për referendumet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *