Vendosni fjalën kyçe....

Rrezikojnë t’u prishen banesat te Bregu i Lumit, banorët me pasaportë të BE-së i kërkojnë ambasadës dhe qeverisë bullgare të ndërhyjë


Bashkia Tiranë pritet të prishë në ditët në vijim rreth 30 banesa në zonën e Bregut të Lumit, të cilat preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri.

Ndryshe nga sa ka ndodhur në dy segmentet e tjera ku banorët janë dëmshpërblyer për banesat e tyre pavarësisht faktit nëse kanë qenë të legalizuara apo jo, në segmentin e tretë banorët janë lajmëruar se nuk do dëmshpërblehen.

Një pjesë e këtyre banesave që prishen u përkasin shtetasve të Bashkimit Europian, duke qenë se kanë pasaportë bullgarë ndërsa pjesa tjetër i përkasin minoritetit bullgar në Shqipëri.

Banorët kanë deklaruar për Hashtag.al se përballë presionit dhe dhunës që po ushtron shteti shqiptar dhe institucionet e tij si policia dhe bashkia, do i drejtohen ambasadës bullgare në Tiranë që të ndërhyjë tek qeveria bullgare dhe Komisioni Europian në Tiranë për shkeljen e të drejtave të tyre.

Ata jetojnë në këtë zonë prej më shumë se 25 vjetësh dhe kërkojnë me forcë dëmshpërblim për shtëpitë e tyre pasi janë në gjendje të vështirë ekonomike.

Njëri nga banorët i cili ka pasaportë bullgare dhe është shtetas i Bashkimit Europian, i cili jeton në Angli ka nisur kontaktet me ambasadën bullgare në Londër e cila do i kërkojë shtetit bullgar që të ndërhyjë për të trajtuar çështjen e pronës së tij, duke qenë se nuk ndodhet në Shqipëri dhe shteti shqiptar po i shkatërron pronën pa asnjë dëmshpërblim dhe në kundërshtim me ligjin.

Ditën e nesërme një përfaqësi e shtetasve të BE-së me pasaportë bullgare do zhvillojnë një takim me ambasadën bullgare në Tiranë ku do kërkojnë ndaljen e shembjes së banesave të tyre deri në trajtimin e drejtë të pronave të tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *