Vendosni fjalën kyçe....

Trump paralajmëron Meksikën me mbyllje të kufirit nëse nuk ndalon trafikun e paligjshëm


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka paralajmëruar se do ta mbyllë kufirin jugor me Meksikën, nëse kjo e fundit nuk do të ndalojë migrimin e paligjshëm.

Trump tha se do të ishte shumë e lehtë për Meksikën që të ndalojë migrimin e paligjshëm duke e goditur njëkohësisht edhe trafikun e drogës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, presidenti Trump i bëri thirrje Kongresit që menjëherë të ndryshojë ligjet e migracionit. Ai akuzoi demokratët për ligje të ‘dobëta’ të migracionit.

Çështja e sigurisë në kufirin me Meksikën, ka ngjallur tashmë debate në Shtetet e Bashkuara.

Në fushatës zgjedhore, presidenti Trump pati premtuar se do të ndërtojë një mur në kufirin jugor me Meksikën në mënyrë që të ndalë migrimin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.

Gjatë fushatës presidenti tha se Meksika do ta ndërtojë murin me paratë e saj, mirëpo më vonë i kërkoi Kongresit ndarjen e 5.7 miliardë dollarëve për ndërtimin e murit.

Kjo kërkesë po kundërshtohet nga demokratët në Kongres, duke mos ndarë mjetet e nevojshme për ndërtimin e tij. Presidenti Trump shpalli më pas gjendjen e emergjencës e cila i lejon atij të përdorë fondet e ndara për çështje tjera të mbrojtjes dhe sigurisë për të ndërtuar murin me Meksikën.