Vendosni fjalën kyçe....

Goci: “Gati të bëj fushatë vetëm për referendum”, Basha: “Të garantoj, është hapi i parë për ne!”


Në tryezën e bashkëbisedimit mes përfaqësuesve të “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” dhe kreut të PD-së Lulzim Basha, është ngritur problemi i mospërfshirjes së qytetarit në vendimmarrje dhe mungesa e mundësisë për të bërë referendum.

I pari që e ngriti këtë problem është pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci i cili tha: “Unë shoh se kjo krizë në të cilën jemi sot, nuk është krizë mes partive, është krizë mes sistemit politik dhe qytetarit. Që do të thotë se sistemi ose hapet dhe ka një shpërthim, ose do jemi duke xhiruar figura dhe duke i krehur sedrën njëri-tjetrit duke u pozicionuar me kë është ky apo ai. E gjithë kjo krizë është ngërçi politik, ka një mecëri të qytetarit për të pasur aksion politik.

Qytetari nuk është gjëkundi. Njësia e qytetarit në Shqipëri është një zero e madhe dhe qytetari katandiset në militant, që unë kam  shumë respekt, ose është njeri i nënshtruar politikisht në të gjitha hallkat ose pastaj duhet të lërë Shqipërinë dhe të iki.

Unë i kam eksperienca të drejtpërdrejta. Unë kam qenë aktiv te kauza për ndërtimet te liqeni.

Dua që qytetari të jetë i barabartë në të gjitha hallkat e veta, ku sigurisht partitë politike janë përfaqësuese. Ne nuk e kemi fare në sistemin e drejtësisë qytetarin. Qytetari ynë nuk zgjedh as prokuror as gjyqtar as askënd, i zgjedhin këta me Vetting.”.

Ai deklaroi publikisht se ishte i gatshëm të bënte fushatë krah opozitës vetëm për të ngritur një platformë referendare.

“Unë mendoj se e gjitha kjo mund të kalojë me një platformë referendare, që duhet ta shtyjë opozita përpara dhe duhet ta bëjë platformë programore e cila ka konsensusin e kësaj.

 Nëse kjo kalon në Referendum, unë po e them këtu publikisht se jam gati që të kaloj në fushatë, të bëj fushatë në terren që kjo gjëja të kalojë.”, tha  Goci.

Basha ra dakord me pedagogun ndërsa e konsideroi një nga hapat më të rëndësishëm për opozitën, ndryshimin e ligjit për Referendumin.

“Dua ta garantoj zotin Goci se në pikëpamjet që shtroi jemi absolutisht në të njëjtën anije. Problemi kryesor i vendit është që e gjithë vendimmarrja politike e ekonomike është e përqendruar në një grusht të vogël njerëzish. Në një rreth të mbyllur. Po të mos jesh brenda këtij rrethi nuk ke mundësi të influencosh vendimarrjen. Ky është problem që duhet zgjidhur patjetër. Por këtij problemi  i është shtuar edhe një dramë vitet e fundit. Në këtë rreth të mbyllur nuk janë vetëm elita politike apo ekonomike e vendit. Tani kemi krimin brenda, kemi kriminelët brenda që në shumë raste është imponues i vendimmarrjes. Besoj se kemi prova të mjaftueshme se afera e Teatrit Kombëtar është afera e pastrimit të parave të pista të drogës, të kokainës spanjolle. Të mos zgjatem më shumë. Po mundohem të jem i rezervuar që mos ta kthej në fjalim politik. Pra hapi i parë dhe kryesor është të mundësojmë Referendumin. Sot në Shqipëri ligji për Referendumin ka një qëllim, të pamundësojë referendumin.

Ne e kemi shqyrtuar disa herë referendumin si mundësia e fundit që ngelet pasi shterohen të gjitha mundësitë e tjera institucionale por ekspertët tanë kushtetues dhe ligjor kanë parë se si është e pamundur. Diku hyjnë afatet kohore, diku pengesa të tjera. Pra një referendum lokal apo qendror është praktikisht i pamundur.”, tha Basha i cili shtoi se ndryshimi i ligjit për Referendumin është një nga hapat kryesor për opozitën, por para sipas tij duhej larguar krimi nga pushteti.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *