Vendosni fjalën kyçe....

Basha pas takimit me Danielsson: Asnjë hap pas, jo thjesht largimi i Ramës por rrëzimi i sistemit


Pas takimit me drejtorin e Zgjerimit në BE, Danielsson, kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka deklaruar se opozita nuk do bëjë asnjë hap pas në misionin e saj për të kthyer në vend demokracinë, zgjedhjet e lira e të ndershme, drejtësinë e pavarur dhe funksionimin e shtetit.

“Shkëmbyem faktet e së vërtetës në Shqipëri që sot nuk mund të fshihet më pas vendimit të opozitës së bashkuar për të treguar realitetin e Shqipërisë që drejtohet nga një autokrat i korruptuar i lidhur me krimin, i kapur në përgjime zytare të prokurorisë shqiptare që po shkatërro reformën në drejtësi që të mbrojë veten e tij, ministrat e tij dhe kriminelët me të cilët ka blerë zgjedhjet e vitit 2017. Mbi bazën e kësaj është realizuar kapja e institucioneve, kapja e drejtësisë, kapja e mediave. ” – tha Basha.

Më tej ai tha se opozita nuk synonte thjesht largimin e Ramës por rrëzimin e sistemit të ngritur prej tij, për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të pavarura dhe që pushteti të mos përqendrohet më në duart e një njeriu të vetëm.

“Sot kishim një mundësi tjetër për të shprehur jo thjesht vendosmërinë e saj për t’i qëndruar kësaj beteje bashkë me qytetarët për çlirimin e Shqipërisë nga një qeverisje e kriminalizuar. Ne nuk kërkojmë thjesht largimin e Ramës por shembjen e sistemit. Kjo kërkon angazhim të gjithë faktorit politik shqiptar. Duhet të garantojmë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira e të pavarura. Të kemi institucione kushtetuese që përgjigjen para qytetarëve jo si sot ku qeveria, parlamenti, drejtësia, prokuroria, SHISH-i, media dhe ekonomia janë në dorë të një njeriu dhe të një grushti klientësh të tij.” – shtoi Basha.