“Tagesspiegel”, gazeta prestigjioze gjermane habitet me kryeministrin Edi Rama, i cili pavarësisht se vendi ndodhet në një destabilitet politik, me protesta të shumta kundër tij, ai gjen kohën të hapë ekspozita të ndryshme në Berlin.
“Edi Rama ka probleme të tjera veç artit. Shqipëria, kryeministër i së cilës ai është që prej vitit 2013, po proteston dyfish, me studentët e pakënaqur dhe me një opozitë të irrituar.
Nga jashtë, është e vështirë të vlerësosh kriticizmin, dhe natyrisht të kënaqesh me një politikan i cili – kur ishte ende kryetar bashkie – trishtimin e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, e luftoi në mënyrë të suksesshme me anë të ngjyrave duke fituar simpatinë e të gjithëve. Madje, është edhe surprizuese, që në gjithë këtë destabilitet politik, Rama hap ekspozitën e tij, i përqëndruar plotësisht në ekzistencën e tij të dytë si artist”, thuhet në artikullin e gazetës gjermane.
Madje më tej nëpër rreshta, flitet sesi vizatimet e Ramës pasqyrojnë gjendjen e tij shpirtërore, që nga jashtë duket i relaksuar, por nga brenda mund të jetë tejet i trazuar ashtu sikurse politika në Shqipëri.
“Nga jashtë, 54-vjeçari duket i relaksuar. Por, ajo çka ndodh brenda tij mund të lexohet në muret e galerisë: Rama është i famshëm dhe mirëfilli obsesiv. Në takime, në negociata, në telefon. Madje edhe kur vizaton papushim mbi letra të shkruara, fletë kalendari apo fletë blloku. Nga gjestet e tij në dukje të pavetëdijshme dalin rrathë dhe linja plot ngjyra.”, thuhet në artikull.