Vendosni fjalën kyçe....

Nga pastruese në fituese të çmimit “Oscar”, si ia doli Olivia Colman


Olivia Colman mund të jetë fituesja e çmimit “Oscar” të këtij viti si “Aktorja më e mirë në rol kryesor”, mirëpo jo të gjithë e dinë historinë e saj.

Në fjalimin e saj të fitores, Olivia ka pranuar se ky sukses nuk i erdhi brenda natës, por falë një pune të palodhshme dhe i është dashur të kalojë në shumë sfida për të mbërritur këtu ku është sot. Kjo përfshin edhe punën e saj si pastruese, në vitet e para të karrierës së saj. Po e lexuat shumë mirë, si pastruese! Por e nisim nga fillimi…

Colman u rrit në Norwich, dhe sipas saj ajo ka qenë aktore në zemër që në fëmijëri kur e konsideron atë si një “ëndërr të fshehtë”.

Edhe pse ajo do të angazhohej në shfaqjet e shkollës, kurrë nuk e konsideroi si një rrugë të mundshme karriere, gjë që e la në një dilemë për atë që ajo mund të bënte në botën reale.

“Më duhej të kthehesha në shkollë për një vit shtesë, pasi kisha dalë shumë keq në provimet e mia përfundimtare”, tha aktorja për “The Hollywood Reporter.”

“Askush nuk do të më pranonte. Kështu që unë shkova në ‘Homerton’ në Kembrixh të bëhesha mësuese por nuk zgjata atje për shumë kohë sepse nuk isha shumë e mirë për të studiuar. “, tregon Colman.

Pasi la Homerton-in, ajo vendosi të qëndronte në Kembrixh, të merrte pjesë në leksione, të merrte pjesë në disa shfaqje dhe aty kuptoi se çfarë ishte ajo që dëshironte të bënte në jetë. Kështu iu fut artit.

Megjithatë, pas dy vite studimi në shkollën e dramës “Bristol Old Vic”, ajo zbuloi se jeta si aktore nuk do të ishte e lehtë. “Kam punuar në punë të përkohshme të ndryshme dhe si pastruese për një kohë shumë të gjatë, por më pas Lindy King nga PFD më mori nga shfaqja në fund të shkollës kështu që kisha atë në krah”, kujton Colman. “Ajo po më merrte për shumë shfaqje, por nuk po bëja audicione.”

Por pavarësisht vështirësive, Colman ishte e vendosur të luftonte.

 “Unë nuk u mposhta nga zhgënjimet sepse e dija se nuk mund të bëja asgjë tjetër.”

Dalëngadalë rolet filluan të vijnë dhe për Colman dhe ajo filloi të merrte pjesë në drama si Holby.

Colman i detyrohet kolegëve të saj Mitchell dhe Webb, të cilët e sugjeruan atë te BBC për një rol në shfaqjen e tyre “Bruiser”.

Olivia Colman, Robert Webb dhe David Mitchell

Që nga ajo kohë, Colman filloi të merrte pjesë në një seri shfaqjesh komike si “Peep Show”, “Green Wing” dhe “Hot Fuzz”, para se të merrte përsipër role dramatike, si “Tyrannosaur”, apo “The Iron Lady”, ku luajti rolin e Carol, vajzës së Margaret Thatcher.

Profili i saj si aktore filloi të rritej, kur ajo fitoi rolin e Ellie Miller në “Broadchurch”, kur fitoi çmimin “BAFTA” si aktorja më e mirë.

Tanimë ajo është në proces e sipër të xhirimit të sezonit të tretë dhe të katërt të serialit “The Crown”, ku ajo luan rolin e mbretëreshës Elizabeth.

Colman si mbretëresha Elisabeth në “The Crown”

Pas skandalit të vitit të kaluar, kur u zbulua se Claire Folie, e cila luante rolin e mbretëreshës Elisabeth paguhej më pak se kolegu i saj Matt Smith që luan rolin e Dukës së Edinburgut.

Drejtuesit e shfaqjes e pranuan se pagesat ishin bërë të padrejta dhe deklaruan se tanimë “askush nuk do paguhej më shumë se mbretëresha”.

Olivia Colman që ka marrë rolin e mbretëreshës duke zëvendësuar Folie-n, pritet të paguahet shumë më shumë, por ende nuk është bërë punlike një shifër ekzakte.

Kështu pas çmimit “Golden Globe” për rolin e saj në “The Crown” dhe “Oscar”-it për rolin në filmin “The Favourite”, vlera e Colman-it si aktore do të rritet më shumë se 2.8 milionë pound që ka arritur gjatë karrierës së saj 20-vjeçare.

Colman si mbretëresha Anne në filmin “The Favourite”

E ardhmja duket e ndritshme për Olivia Colman dhe pavarësisht nëse asaj do t’i pëlqejë apo jo, pas “Oscar”-it, jeta e saj nuk do të jetë kurrë më e njëjta.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e revistës “Forbes”/ Përshtati në shqip Hashtag.al