Vendosni fjalën kyçe....

Mesazhet e drejtëpërdrejta të Ruçit për opozitën: Pushteti nuk merret në tavolinë!


Gramoz Ruçi sapo ka dalë në një komunikim me mediet nga Kuvendi, lidhur me zhvillimet e fundit për djegien e mandateve.

Ruçi lajmëroi anulimin e seancës parlamentare të së nesërmes, për shkak të protestës së opozitës para kuvendit.

Megjithatë ky nuk qe qëllimi i vetëm i daljes për mediet të socialistit Ruçi. Ai i dha disa mesazhe të drejtëpërdrejta opozitës.

“Acarimi politik i ka kushtuar shumë vendit”, tha Ruçi, duke u shprehur se nuk do donte djegien e mandateve nga opozita.

“Një opozitë që vetëvritet politikisht i bën vendit një dëm shumë të madh”, theksoi ai, duke shtuar se është një skenar i padëgjuar nga ai në historinë e pluralizmit politik.

“Ultimatumet nuk janë demokratike, pushteti nuk merret në tavolinë”, theksoi më tej.

Thënë nga Ruçi është normale që opozita të dojë pushtetin dhe zgjedhje të parakohshme, por nuk mund të kërcënojë parlamentin dhe të braktisë detyrën.

“Një lloj skenari kamikazllëku”, e ka cilësuar vendimin e opozitës kreu i kuvendit.

Protesta me sa duket, bashkë me vendimin e opozitës për të djegur mandatet, do të sjellë një situatë të vështirë për maxhorancën dhe vendimarrësit e saj, duke patur në mendje se çfarë bënë qytetarët protestën e fundit.

Policia e Shtetit ka njoftuar se protestuesit do të synojnë futjen në parlament, duke përdorur dhunë.

Deri më tani nuk ka asnjë përçapje për negociata mes palëve, ndërsa situata është e qartë: Basha dhe Kryemadhi të vendosur për t’i djegur, Rama i vendosur për të mos e dhënë dorëheqjen dhe ndërkombëtarët në pozicione reagimesh të njëjta në situata të ngjashme./Hashtag.al