Vendosni fjalën kyçe....

Kronologjia e protestës së 16 shkurtit, gjithçka ndodhi në 5 orët e qëndresës


Pas 5 orësh para kryeministrisë dhe në bulevard, protesta e sotme e thirrur nga opozita është mbyllur.

Ajo nisi në orët e para të mëngjesit, ku mijëra qyterarë të ardhur nga drejtime të ndryshme u dyndën para kryeministrisë dhe në gjithë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar dhe me thirrje “Rama ik!” ata përshkuan gjithë gjatësinë e bulevardit për t’u ndalur poshtë zyrës së Ramës.

Rreth 1500 policë u thirrën sot nën armë për të siguruar mbarëajtjen e protestës. Që në orët e para të mëngjesit, në kryeqytet është vënë re shtimi i forcave të sigurisë pranë Kryeministrisë dhe Piramidës, pavarësisht se kryeministri Rama nuk ishte sot në zyrë.

Policia, FNSH-ja dhe RENEA ishin vendosur në ambientet e brendshme të kryeministrisë dhe përreth saj.

Prani të shtuar të policisë ka pasur edhe në akset lidhëse të Tiranës me qytetet e tjera. Ajo që u vu re sot ishte pajisja e forcave të rendit e maska kundërgaz.

Si nisi protesta

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” dhe oas kësaj filluan marshimin në drejtim të Kryeministrisë, ku kërkuan largimin e Edi Ramës dhe vendosjen e një qeverie tranzitore në Shqipëri, deri në zgjedhjet e parakohshme, të përgjithshme.

Opozita ka shkruar qartësisht se kërkon një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

4 kërkesat e opozitës janë: Zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, zgjedhje të lira dhe të ndershme, krijimi i klimës së besimit për Reformën në Drejtësi dhe përshpejtimi i negociatave për anëtarësimin në BE.

Të renditura punët e qeverisë tranzitore janë

  1. Kthimi i legjitimitetit politik të qeverisjes në vend, nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare
  2. Krijimi i kushteve të domosdoshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, parlamentare dhe vendore në Shqipëri, përmes dhënies fund të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, oligarkia dhe korrupsioni i lartë shtetëror
  3. Realizimi i Reformës Zgjedhore dhe ndjekjen e zbatimit të saj, me fokus të veçantë shkëputjen e lidhjes mes politikës dhe krimit, luftën ndaj fenomenit masiv të blerjes së votave, intimidimit kriminal mbi zgjedhësit, presionit mbi median, si dhe eleminimin e pabarazisë mes partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje; krijimin e klimës së besimit për zbatimin e Reformës në Drejtësi, jashtë çdo ndërhyrje politike;
  4. Krijimi i kushteve të nevojshme për të përshpejtuar nisjen e negociatave të Shqipërisë për antarësimin në Bashkimin Europian dhe ndërmarrjen e çdo Reforme të nevojshme për këtë qëllim.

Deri më tani opozita ka hedhur e zeza mbi të bardhë këto 4 qëllime të qeverisë tranzitore, të cilat priten të shoqërohen me detajime të mëtejshme, edhe pas protestës së 16 shkurtit.

Incidentet

Protestuesit arritën të thyejnë kordonin e policisë më shumë se një herë dhe grisën tendën e vendosur para Kryeministrisë si dhe prishën kërpudhën që qëndronte në krah të hyrjes.

Liderët e opozitës deklaruan se policia ishte përgjegjëse për çarjen e kordonit dhe për provokimin e protestuesve. Sipas tyre policia ka patur plan të shkaktojë dhunë në protestë që në fillim dhe ka provokuar qëllimisht protestuesit.

Punonjësit e policisë përdorën plumbat e gomës dhe gazin lotsjellës nga tarraca e kryeministrisë për të sprapsur protestuesit.

Si pasojë e gazit lotsjellës mbetën të lënduar 5 protestues, një pjesë e të cilëve mbetën të shtrirë përtokë si dhe 5 punonjës policie. Ndërsa shumë protestues të tjerë vuajtën pasojën e gazit lotsjellës por nuk patën nevojë të dërgohen në spital.

Pas 5 orësh proteste, kreu i Partisë Demokratike, foli para mijëra qytetarëve që qëndronin para kryeministrisë dhe në bulevard. Ai i falenderoi qytetarët për qëndresën e tyre dhe i ftoi që të enjten e ardhshme të mblidheshin si sot për të marrë në dorë fatin e tyre.

Basha tha se protesta e sotme u tregoi të gjithëve se kjo qeveri i ka orët e numëruara dhe se është koha që kryehajduti të shporret nga qeverisja e tij kriminale dhe t’i hapë rrugën një qeverie tranzitore dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme.

/Hashtag.al