Vendosni fjalën kyçe....

Të miturat në Kavajë e Drenas, Rama e Lleshaj përballë Haradinajt e Thaçit


Dy ngjarje kanë tronditur opinionin publik në Shqipëri dhe në Kosovë ditët e fundit.

Bëhet fjalë për rastin e përdhunimit të një vajze 13-vjeçare në Kavajë nga 8 adoleshentë, dhe atë të një 16-vjeçare në Drenas nga mësuesi dhe polici tek i cili denoncoi ngjarjen.

Por kur bëhet fjalë për trajtimin e ngjarjes, dy shtetet shqiptare kanë reaguar ndryshe.

Në rastin e parë, ngjarja u mbajt e fshehtë nga policia edhe pse babai i të miturës kishte bërë denoncim, derisa ish-kryeministri Sali Berisha publikoi më 2 shkurt denoncimin e disa qytetarëve në rrjetet sociale. Në rastin e dytë, sapo lajmi u publikua fillimisht në media dhe prokuroria u informua për rastin, nisi trajtimi i çështjes. 

Në të dyja rastet kemi mënyra të ndryshme të trajtimit të çështjes nga autoritetet, sidomos nga kryeministrat e dy vendeve.

Për rastin në Drenas, kryeministri Ramush Haradinaj pranoi ngjarjen ndërsa shprehu dhe fjalë humane për familjarët dhe siguroi se fajtorët do të dilnin përpara drejtësisë. Presidenti Hashim Thaçi bëri të njëjtën gjë.

RAMUSH HARADINAJ

“Me shqetësim mora lajmin për rastin e fundit të abuzimit seksual me të miturën nga Drenasi. Jam i tronditur që një mësues që i besojmë fëmiun dhe një polic që i besojmë sigurinë të abuzojnë me një të mitur. Përgëzoj reagimin e shpejtë të autoriteteve komunale dhe qëndrore ndaj këtyre abuzuesve. Bashkëndjej me familjen e të abuzuares dhe i siguroj që organet e drejtësisë do të merren me rastin seriozisht. Dua t’i falenderoj mediat për angazhimin e pandalshëm që të raportojnë për raste të tilla dhe të shtyjnë reagimin institucional dhe shoqërore. Apeloj te të gjitha vajzat dhe gratë që janë cak i abuzimeve dhe kërcënimeve të kësaj natyre, të paraqesin rastet dhe të raportojnë dhunuesit.”

HASHIM THAÇI

“Rasti i abuzimit me nxënësen e mitur në Drenas është prej ndodhive më tronditëse në Kosovën e pasluftës. Në institucionet tona nuk duhet të ketë vend për abuzues të fëmijëve tanë. Kërkoj nga organet përgjegjëse që ta hetojnë me profesionalizëm rastin dhe të gjithë abuzuesit t’i sjellin para drejtësisë. Shoqëria jonë duhet ta ngreh zërin kundër çdo abuzimi dhe institucionet duhet me vendosmëri të punojnë për çrrënjosjen e këtyre dukurive në vendin tonë.”

Por kryeministri Edi Rama ende nuk ka folur asnjë fjalë për çështjen. Në vend të tij ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, por edhe kjo si përgjigje ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Berisha.

Lleshaj nuk njoftoi masat që janë marrë apo do të merren për ngjarjen, asnjë solidarizim me familjarët, por në vend të kësaj u përqendrua në akuza politike ndaj Berishës e opozitës. Për më tepër, krejt ndryshe nga Haradinaj që falenderon mediat për angazhimin e tyre në raportimin e të tilla rasteve duke shtyrë dhe institucionet të veprojnë. 

Por ministri i Brendshëm i Shqipërisë, kërkon të kundërtën me arsyetimin se në ngjarje janë të përfshirë të mitur.

SANDËR LLESHAJ

Deklarata e parë: “S’ka më fjalë shqipe për monstrën që nuk njeh asnjë cak dhe ndot çdo gjë me gjuhën e tij! Rasti fatkeq i minorenes së dhunuar është trajtuar menjëherë dhe drejt nga Policia e Shtetit. Të tjerat janë poshtërsi. Ky e ata që bëjnë politikë apo audiencë me viktimën, meritojnë vetëm neveri”.

Deklarata e dytë në Kuvend: “Të nderuar qytetarë, jam i shtrënguar megjithë përpjekjen për të mos u marrë me këtë temë, të them vetëm dy fjalë lidhur me akuzat që u drejtua nga parafolësi në drejtim të Policisë së Shtetit. Theksoj edhe njëherë me forcë dhe me përgjegjësi të lartë shtetërore, që rasti i Kavajës është trajtuar nga Policia e Shtetit në momentin zero, pra në momentin e parë në të cilin Policia e Shtetit ka marrë dijeni. Nuk ju pëlqen ky fakt? Protestoni kundër faktit, por ama dëgjoheni.

Policia e Shtetit ka reaguar në momentin zero, pra më datën 29.01.2019 ndaj denoncimit të familjarëve. Po në këtë moment Policia e Shtetit ka referuar çështjen në Prokurori, që do të thotë që automatikisht e ka bërë publike atë, për arsye se çdo referim në Prokurori është publikim i çështjes; dhe së treti të gjitha akuzat e ngritura kundër Policisë së Shtetit janë e para akuza të pabaza dhe të dëmshme dhe dashakeqëse për të nxirë një institucion, i cili i shërben me besnikëri dhe me devotshmëri qytetarëve shqiptarë.

Publikimi i bërë në rrjetet sociale ka ndodhur pasi shtetasit e akuzuar kanë qenë të arrestuar. Pra edhe njëherë, janë të arrestuar përpara se të keni bërë atë palo status. Ka dokumente shtetërorë për këtë. Juve t’ju vijë turp, që gënjeni gjithë Shqipërinë pa zor! Kriminel më thoni mua ju? Mua kriminel nuk më thoni dot ju, sepse i kam duart e bardha unë, s’i kam duart e skuqura, s’kam gjak në këto duar unë. Edhe njëherë, për qytetarët shqiptarë, nuk po flas për ju: Policia e Shtetit i ka arrestuar përdhunuesit përpara se lajmi është bërë publik. Kaq!”/Hashtag.al