Vendosni fjalën kyçe....

Donika Prela drejt SPAK? Gazetari: Gati kandidimi!


Pas konfirmimit në detyrë, prokurorja e Krimeve të Rënda Donika Prela pritet të kandidojë për anëtare e SPAK.

Një gjë të tillë e ka deklaruar, gazetari i kronikës së zezë Arsen Rustaj, gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku.

Ndërsa fliste për Prelën, Rusta tha se këto ditë ajo “do të nisë procedurat për të qenë pjesëtare e Strukturës së Posaçme të Antikorrupsion”.

Avokati Kujtim Cakrani, i cili gjithashtu ka qenë i ftuar në emision, deklaroi se “kjo nuk është e moralshme kur Prela nuk justifikoi dot të ardhurat e bashkëshortit duke thënë se ka punuar në të zezë si do të luftojë korrupsionin te politikanët?”

Kujtojmë se Donika Prela kaloi me sukses vettingun ku vetëm tre ditë më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i përbërë nga Roland Ilia (kryesues), Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari (relatorë), vendosi që shefja e Krimeve të Rënda, të vazhdonte në detyrë duke neglizhuar shqetësimet e OIMN-së.

Konfirmimin e Prelës në detyre, Partia Demokratike e cilësoi si kapje të institucioneve të reja të drejtësisë nga ana e kryeministrit Edi Rama pasi prokurorja nuk duhej ta kishte kaluar vettingun.

Deklarata më e fortë gjatë seancës për Prelën, ka qenë e përfaqësuesit të OMN, Theo Jacobs, i cili tha se dosja e saj “lë një shije të keqe”.

E pyetur nga vëzhguesi i ONM-së, pse i shoqi nuk kishte paguar taksa, Prela u përgjigj duke thënë se në Shqipëri, gjërat nuk funksionojnë si në vendet e BE-së.

 “Jam i sigurt që ju keni provuar që të pini ilaçe në mëngjes dhe ato ilcace të lënë një shije të keqe dhe s’mund ta pish mirë kafen. Dhe pas drekës shija përmirësohet. Kam lexuar dosjen tuaj dhe akoma nuk kemi arritur në kohën e drekës për të shmangur dyshimet për të larguar shijen e keqe në gojën time. Pse bashkëshorti juaj e ka marrë rrogën në të holla edhe pse ai ka pasur llogari bankare? Kjo mund të duket pyetje pa vend, por ju e dini në diskutimet tona dhe se nuk janë paguar taksat me koincidence ose jo?

Më ndihmo të kuptoj se kjo nuk është rastësi pse bashkëshorti juaj është gënjyer nga kompania e ndërtimit. Ato e kanë ndërtuar në këtë mënyrë për të shmangur pagesën e taksave. Pyetja është bashkëshorti juaj është viktimë apo bashkëpunëtor në këtë skemë?

Ti duhet të shpërlash shijen e keqe që ka ngelur në gojë, çfarë e mbështet këtë shije të keqe është fakti se pavarësisht se bashkëshorti juaj është gënjyer, është i dyshimtë fakti që ju keni akoma kontakt me ish-punëdhënësin.

Bashkëshorti juaj është në gjykatë me kompaninë por mesa di unë ai ka kërkuar edhe ndërmjetësim.

Çështja e dytë është mundësia financiare e kushëririt të bashkëshortit tuaj. Kur lexova përgjigjen  tuaj dje në mbrëmje në një moment të caktuar ju thoni që nga viti 1996 ka fituar 10 milionë lekë. Ju lutem më ndihmoni të justifikoj shumën 10 milion lekë për 10 vite.”, janë fjalët e Jacobs.

Kurse Prela është përgjigjur duke thënë: “Unë e bashkëshorti im kemi jetuar në Shqipëri, jo në vendet e BE-së. Firma e ndërtimit s’ka respektuar detyrimet kontraktore. Tatimet e bashkëshortit duhet t’i paguante punëdhënsi. Në këtë rast të dëmtuarit jemi unë e bashkëshorti im. Jemi në gjyq më kompaninë për mospagim sigurimesh.”

SPAK nënkupton krijimin e një gjykate dhe prokurorie të dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *