Vendosni fjalën kyçe....

Ekspertët për Ballkanin ngrenë alarmin, politikanët perëndimorë shurdhmemecë


Një varg ekspertësh për Ballkanin, kryesisht perëndimorë, por jo vetëm ata, gjatë disa ditëve të kaluara kanë kritikuar ashpër politikën e BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë, duke i paralajmëruar hapur se mënyra se si pozicionohen ndaj përshkallëzimit të krizës në veri të Kosovës, të cilën në mënyrë të dukshme po e prodhon Beogradi, ndërsa ata hiqen sikur nuk e shohin këtë fakt, mund të prodhojë destabilizimin e Ballkanit në përmasa më të gjera, – përcjell KDP analizën e portalit malazez AntenaM.

Shkruan: Biljana JOVIQEVIQ*

Thelbi i të gjitha kritikave të analistëve perëndimorë mund të përmblidhet në komentin e Daniel Serweri, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, të publikuar në rrjetin X (ish Twitter):

“I ndjek ngjarjet në Ballkan më shumë se 30 vite. Kurrë më herët nuk kam parë sjellje më të plogësht të SHBA-së dhe Evropës, madje edhe kur Clinton (Bill Clinton) hezitoi, kurse Poos (Jacques Poos) shpalli orën e Evropës (kur me negociatat në Brione përfundoi lufta dhjetë ditore në Slloveni). Është koha për rinovimin e themeltë të politikës perëndimore”.

Profesor Server ka shkruar edhe për www.peacefare.net një artikull duke paralajmëruar se këtu nuk është fjala vetëm për Kosovën.

“Përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën në mënyrë që të marrë kontrollin mbi veriun me shumicë serbe sot duhet të jenë evidente për të gjithë. Turpi i vitit të kaluar me targat e veturave, bojkoti i zgjedhjeve komunale në pranverë, trazirat pasuese kundër kryetarëve të zgjedhur joserbë, sulmi mbi  forcat paqeruajtëse të NATO-s në maj, kidnapimi i policëve kosovarë – e gjithë kjo ishte një prelud në kryengritjen që u parandalua fundjavën e kaluar”.

BE-ja dhe SHBA-ja as e dëgjojnë e as nuk e shohin të keqen

“Mirëpo, SHBA-ja dhe BE-ja deri më tani nuk kanë arritur të nxjerrin përfundimet e domosdoshme. Ato vazhdojnë të bëjnë thirrje për dialog pa asnjë pasojë për Beogradin. Ambasadori amerikan në Beograd madje e pa të arsyeshme të sugjeronte që Serbia të anëtarësohej në NATO. Shumica dërrmuese e serbëve hedhin poshtë  këtë perspektivë. Sjellja e paradokohshme e qeverisë së tyre e bën këtë jo vetëm të palogjikshme, por edhe të pakuptimtë”.

Profesori Server në postimin e tij në X, ishte edhe më i ashpër ndaj sugjerimit të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill:

“Serbia përbën kërcënim ushtarak për Kosovën, të cilën e ruajnë trupat e NATO-s. Ambasadori amerikan në Beograd porosit Serbinë se duhet të anëtarësohet në NATO. Në cilin metavers (metaverse) kjo ka kuptim kjo?”

“ Është vështirë të presësh se brenda BE-së do të kërkohet përgjegjësi nga Serbia, sepse për këtë kërkohet unanimitet. Hungaria pro-ruse e Viktor Orban është një prishëse e zakonshme. Rezultati i zgjedhjeve të djeshme në Sllovaki do ta bëjë Bratislavën mikun e ardhshëm më të mirë të Moskës.Në Shtetet e Bashkuara, oferta këmbëngulëse dhe shterpe e administratës së Joe Bidenit për ta kthyer Serbinë kah Perëndimi bllokon çdo rivlerësim serioz të politikës në Ballkan. Zyrtarët të cilët merren me këtë thjesht nuk duan të pranojnë mossuksesin. Ata po vazhdojnë me politikën e koncesioneve, të verbër ndaj abuzimeve të Beogradit”, – thotë Server.

Nuk është vetëm Kosova

Kjo verbëri do të ketë pasoja, shkruan ai. Serbia, si dhe Rusia, e sheh Perëndimin si të ndarë dhe të dobët. Beogradi mund të tërhiqet përkohësisht nga Kosova për të mos provokuar ndonjë reagim serioz. Por Serbia do të vazhdojë synimet irredentiste në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, paralajmëron ai.

“Në Mal të Zi, është bllokuar formimi i qeverisë. Presidenti i ri i atjeshëm dëshiron partitë pro-ruse në koalicion. Mandatari po reziston, nën presionin e Uashingtonit dhe Brukselit. Por ai gjithashtu hedh poshtë bashkëpunimin me ish-partinë në pushtet me orientim perëndimor. Vendi është në një status quo të rrezikshme. Beogradi, në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe, atje mund të krijojë kaos, siç ka ndodhur disa herë vitet e fundit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, Përfaqësuesi i Lartë i Komunitetit Ndërkombëtar (OHR) solli një sërë vendimesh të pamatura që dëmtuan reputacionin e tij. Ai nuk mund të hyjë më lirisht në 49% të territorit të vendit të njohur si Republika Srpska (RS). Udhëheqësi i tyre e solli entitetin vetëm disa hapave nga shkëputja. Për shpalljen e pavarësisë de jure pritet vetëm miratimi i Moskës dhe Beogradit. Ai tashmë e ka ndarë RS-në nga pushteti gjyqësore dhe ekzekutive në vend”.

Ç’pritet tash?

Lufta në Ukrainë do të jetë një faktor i rëndësishëm në atë që do të ndodhë më pas në Ballkan. Parashenjat nuk janë të favorshme në asnjë nga skenarët e mundshëm.

Nëse Rusia do të humbiste në Ukrainë, Moska do të mund të përpiqet të kërkojë kompensim në Ballkan. Metodë do të ishte destabilizimi, e jo agresioni i zhveshur. Serbia do të mund të marrë dritën jeshile dhe ndihmë të fshehtë për të bërë kërdi në Kosovën veriore, vendosjen me forcë të një qeverie pro-ruse në Malin e Zi, anëtar i NATO-s, dhe për të lejuar RS të shpallë autonomi të plotë, nëse jo pavarësi.

Përveç profesor Serverit, për verbërinë e Perëndimit  rreth asaj se çfarë po ngjet me të vërtetë në Ballkan, ka tërhequr vërejtjen edhe ish-ministrja e Punëve të Jashtme të Kroacisë dhe eurodeputetja Vesna Pusiq, individualisht në X duke iu përgjkigjur së pari Komisionerit për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Josep Borrell, pastaj edhe Sekretarit amerikan të Shtetit Anthony Blinken.

Pas konstatimit të Blinkenit se me Presidentin Vuçiq  ka biseduar për nevojën e de-përshkallëzimit urgjent të tensioneve në Kosovë dhe që përgjegjësit për sulmet e paradokohshme të sillen para drejtësisë, si dhe për rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të dakorduara me rolin ndërmjetësues të BE-së, Pusiq ka porositur atë se është koha që e vërteta të shihet në sy.

“Zoti sekretar, ka ardhur koha që të vërtetën ta shikojmë në sy. Arsyeja pse ndërmjetësuesit e ndryshëm ndërkombëtarë kanë probleme në punën me kryeministrin e Kosovës Kurti është se ai është një politikan i rrallë i pakorruptuar ballkanik dhe për këtë arsye është vështirë për ta shantazhuar. I bënë presion Kosovës sepse është më e dobët se Serbia, e jo pse është përgjegjëse për situatën e tanishme. Kosova është e përkushtuar ndaj demokracisë dhe perspektivës BE/NATO për vendin e saj. Stabiliteti, siguria dhe demokracia e Kosovës janë kyçe për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kjo nuk do të vijë nga Serbia dhe pushteti i saj aktual. Kam frikë se këtu do të kemi nevojë për ndihmën tuaj. Si dikush që ka respekt të madh për administratën e Presidentit Biden dhe që ka punuar me shumë sukses me disa nga paraardhësit tuaj, shpresoj se mund të rishikoni qasjen e SHBA-së dhe të ndihmoni në parandalimin e fillimit të një zinxhiri ngjarjesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor”, – ka porositur Vesna Pusiq.

Në cilin planet jetojnë zyrtarët e BE-së?

Kolegut të saj evropian Borell, i cili në momentin kur presidenti i Serbisë po lëvizte ushtrinë drejt Kosovës, merrej me dënimin e  minimit të demokracisë në kontinentin latino-amerikan, konkretisht në Guatemalë, ia pa për të madhe:

“Guatemala?! Vërtet? Në momentin kur Kosova (aplikon për në BE) është nën sulmin terrorist të Serbisë (duke negociuar për anëtarësim në BE), Përfaqësuesi i Lartë i BE-së nuk thotë asnjë fjalë për këtë në Twitter (X). Evropa duhet ndërmarrë aksion dhe nëse jo këtë, të paktën të reagojë”.

Se çfarë po ndodh në Ballkan dhe cilën lojë e luan presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tani janë dakord edhe ata analistë të cilët më parë e shihnin ndryshe situatën në rajon.

Gerald Knaus, president i ESI (Iniciativës Evropiane për Stabilitet), gjithashtu në një tweet më të gjatë tërhoqi vërejtjen se gjithçka tregon se Vuçiq  gjatë gjithë kohës është përgatitur për luftë.

“Dialogu i dështuar të cilin e zhvilloi nën kujdestarinë e BE-së ishte thjesht mburoja e tij për ta bërë këtë. Lista serbe ishte vegël. Për vite me radhë, udhëheqësit serbë në Kosovë të cilët nuk i ka kontrolluar Beogradi, janë frikësuar ose u vrarë.

E megjithatë, Vuçiq arriti të hipnotizojë shumë prej tyre në rajon, liderë të shoqërisë civile dhe diplomatë të BE-së dhe SHBA-së. Me mjeshtëri. Tani mjegulla është shpërndarë…”– përfundoi Knaus, ndërsa reetweet i bëri Toby Vogel nga DPC (Këshilli për Demokratizimin e Politikës)nga Berlini i cili shtoi sa vijon:

“Thellësisht nuk jam pajtuar me pothuajse çdo tekst nga analizat e Gerald-it për çështjet balkanike në 25 vitet e fundit – por ai këtu ka absolutisht të drejtë. Ndërkohë, Brukseli është ende në gjumë”.

Kolegu i Vogelit nga DPC, Kurt Bassuener, ka pyetur gjithashtu të dërguarin evropian Miroslav Lajçak “Në cilin planet jeton?” kur, një ditë pas sulmit serb dhe tentativës për sulm terrorist në fshatin Banjskë në rrjetin X, pa përmendiur ngjarjen që mund të ndezte një  vatër të re në Ballkan, u lavdërua me takimin me të dërguarin amerikan Gabriel Escobar, ku biseduan për nevojën e zbatimit të marrëveshjes dhe “rrugën e normalizimit të situatës në veri të Kosovës”, duke e falënderuar për mbështetjen.

Putin hap një front të ri kundër Perëndimit

Në fund, analistja amerikane me origjinë nga Serbia, eksperte për Ballkanin dhe Rusinë, hulumtuesja e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, Ivana Stradner, paralajmëroi në një shkrim autorial për britanikenThe Telegraph se “Putini po hap një front të ri kundër Perëndimi dhe se Ballkani do të shpërthejë nëse NATO nuk ndërmerr aksion urgjent për të shtypur agresionin rus dhe serb në Kosovë”.

Sipas vlerësimit të saj, “në Ballkan është krahu më i dobët i NATO-s, duke përbërë një objektiv të përshtatshëm për ambiciet ruse”. Përshkallëzimi në Kosovë është realizim i ëndrrës për Moskën.

“Serbia dhe Rusia po përgatisin tash disa muaj serbët për përshkallëzime në Kosovë, duke nxitur tensione në Ballkan për të larguar vëmendjen e Perëndimit nga lufta në Ukrainë. E vërshuan hapësirën informative me propagandë duke përsëritur pretendimin e vjetër se Kosova i përket Serbisë – një nga mesazhet propagandistike ishte se Mbretëria e Bashkuar atje po përgatit luftë. Siç e di çdo student i historisë ballkanike, një retorikë e tillë edhe më parë ka shkaktuar dhunë etnike në rajon”.

Rusia e shfrytëzoi shpejt incidentin: një zëdhënës rus deklaroi se “presioni shtesë i Perëndimit” po e çon “të gjithë rajonin ballkanik buzë greminës së rrezikshme”. Putini e di se nuk duhet të dërgojë forca ushtarake në Ballkan – ai mund të shfrytëzojë luftën hibride për të destabilizuar rajonin dhe për të rivendosur Rusinë si një negociator të besueshëm në konfliktin atje. Me këtë arrihen tre qëllime: largimi i vëmendjes së Perëndimit nga Ukraina, forcimi i pozicionit rajonal të Moskës dhe Putimit i jepet influencë mbi fuqitë perëndimore nëse duan të pengojnë përshkallëzimin e konflikteve në rajon,- paralajmëroi Stradner.

“Edhe Serbia ka levërdi. Vuçiq u përshkallëzua dhe më pas u de-përshkallëzua në Kosovë duke u pozicionuar si një shtyllë stabiliteti dhe duke e shfrytëzuar këtë si një atu në negociatat me Perëndimin. Qëllimi përfundimtar i Vuçiqit është të mbajë pushtetin dhe kriza e Kosovës e ndihmon atë të devijojë vëmendjen nga çështjet e tij politike të brendshme dhe të rrisë mbështetjen për zgjedhjet e radhës.

Të premten, Shtëpia e Bardhë ndërmori një hap të paprecedentë dhe paralajmëroi publikisht për një “dislokim në shkallë të gjerë të ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën”. Sado e rrezikshme të jetë kjo, Vuçiq e di se nuk duhet të dërgojë ushtrinë. Në vend të kësaj, ai mund të shërbehet me lojën e Putinit dhe të dërgojë “burra të vegjël jeshil” – ushtarë pa shenja për të minuar Kosovën dhe për të kryer mohimin bindës. Mbase pikërisht kjo tashmë ndodhi”.

Ky është një moment i rrezikshëm, por pakkush flet për këtë, ka shkruar Stradner, që është edhe jehonë e pyetjeve të lartpërmendura të cilat Daniel Server, Vesna Pusiq dhe Kurt Basuner ia shtruan Hillit, Borellit dhe Lajçakut. Stradner, nga ana e saj, pret reagim nga NATO-ja.

“Tri dekada pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, tensionet etnike në Ballkan nuk janë zhdukur kurrë. Pavarësisht epërsisë së përgjithshme ushtarake të NATO-s, ajo ka një dorë të dobët në Ballkan dhe Rusia atje vazhdon ta mund. Është koha që NATO të forcojë praninë e saj në rajon dhe ta vendos Rusinë në defanzivë”.

Prandaj, ekspertët për Ballkanin po çirren për rrezikun dhe po shtypin të gjithë alarmet e kuqe të disponueshme, por këto mesazhe duket se tani për tani po hasin vetëm në “veshë të shurdhër”” të vendimmarrësve perëndimorë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AntenaM.me përkthyer nga KDP.