Vendosni fjalën kyçe....

“Institucionet s’vepruan, heshtje skandaloze për makabritetin e Kavajës”


Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi, njëherësh kryetare e Aleancës së Grave Parlamentare, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Kavajë, ku dyshohet se është përdhunuar një nxënëse 13-vjeçare.

Përmes një shkrimi, Çupi dënon sjelljen e institucioneve në vend që kanë heshtur lidhur me ngjarjen.

Çupi shprehet se prindërit e adoleshentes e kanë denoncuar ngjarjen në polici, mirëpo askush nuk ka vepruar.

Tanimë që ngjarja është bërë publike, deputetja demokrate u bën thirrje institucioneve të zbatojnë ligjin për autorët e këtij krimi.

“Heshtja skandaloze e institucioneve për makabritetin e Kavajës.

I madh e i vogël është shokuar nga ngjarja e rëndë në Kavajë, ku një vajzë e mitur 13 vjecare është përdhunuar nga të paktën 8 adoleshentë.
Ngjarje që të lë pa fjalë, të merr frymën.
Ngjarje që do të mbetet makthi i përjetshëm i asaj vajze të vogël, të mitur dhe të pambrojtur.
Ngjarje që trondit cilëndo nënë apo familjar.
Ngjarje që trondit shoqërinë.

Por kjo ngjarje është perceptuar si normale nga institucionet e këtij vendi, të cilat kanë heshtur duke mos nisur procedimin për këtë rast. Ndonëse prej disa kohësh, prindërit të shokuar nga ajo që vajza e tyre ka përjetuar, e kanë denoncuar në organet kopetente. Askush nuk ka vepruar.

Institucionet e kanë lënë në tavolinën e harresës, këtë dëshmi- denoncim që u pluhuros dhe u la në hije pa u vënë re.

Ky akt nuk mund të ketë asnjë shpjegim logjik, apo qoftë edhe njerëzor. Kjo është fytyra e vërtetë e sjelljes së kësaj qeverie dhe institucioneve të menaxhuara prej saj në raport me të keqen.
Kjo sjellje është e turpshme, e pafalëshme.

Tashmë që gjithcka është bërë publike edhe pa vullnetin e institucioneve, u bëj thirrje këtyre të fundit të zbatojnë ligjin për autorët e këtij krimi që kërkon ndëshkim.

Kjo qeveri mund të jetë mësuar duke e promovuar të keqen dhe ndaj nuk i bën përshtypje, por shqiptarët nuk mund të mësohen e të pranojnë krime të tilla.”, shkruan deputetja demokrate.

Më dy shkurt, ishte i pari ish-kryeministri Sali Berisha që publikoi denoncimin e një qytetareje, e cila tregonte se një nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë, ishte përdhunuar nga një grup adoleshentësh dhe se ngjarja po mbahej e fshehur.

Qytetarët i tregonin Berishës se ngjarja kishte dy muaj që kishte ndodhur dhe pavarësisht kësaj, as policia dhe as drejtoria e shkollës nuk kishin marrë asnjë masë.

Menjëherë pasi lajmi i bërë publik së pari nga ish-kryeministri u bë viral, media të ndryshme filluan të raportonin “me burime” nga policia se ngjarja kishte ndodhur dhe se djemtë përgjegjës qenkan arrestuar pikërisht ditën e bërjes publike të lajmit dhe të djelën u dha dhe vendimi për mbajtjen e 7 të rinjve në burg.

Gjykata e Durrësit dha vendimin për masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 adoleshentët të cilët akuzohen se kanë përdhunuar 13-vjeçaren, si edhe shpalljen në kërkim të një tjetër 15-vjeçari. Adoleshentët akuzohen për veprën penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Djemtë e kanë pranuar veprën për të cilën akuzohen para uniformave blu dhe tani priten procedimet e mëtejshme të drejtësisë.

Prokuroria e Durrësit reagoi sot për herë të parë zyrtarisht në lidhje me ngjarjen e rëndë ku njoftoi se po kryhen hetimet për çështjen dhe se rasti po trajtohet me impenjimin e duhur dhe maksimal në zbatim të detyrës dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *