Vendosni fjalën kyçe....

Betimi hipokrit i Edi Ramës (Video)


Nuk kaluan as 12 orë, nga zotimi i Edi Ramës. Madje mund të thuhet se ishte zotimi më hipokrit i një kryeministri, i ndjekur nga publiku me zë e figurë.

Pas betimit në Presidencë se do kryente rolin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Rama është bërë “pishman”, duke ia kaluar këtë përgjegjësi kandidatit që u kundërshtua nga presidenti Meta, Gent Cakajt.

Kuptohet, kleçkë teknike, për të cilën nuk iu deshën më shumë se 6 minuta dje në Presidencë e për të vënë në vend të tijën: Zëvendësministrin e parë, që de facto do jetë ministër.

Kush është Gent Cakaj

Cakaj ka studiuar në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), i themeluar dhe i financuar nga miliarderi George Sorosi, ku ka marrë një diplomë Master.

Udhëheqës i tezës së kandidatit të Ramës për ministër është një person kyç i fondacionit, zonja Judit Sandor, profesore e këtij universiteti dhe ajo e ka drejtuar Cakajn në punimin “Neuro-përmirësimi dhe nocioni i përgjegjësisë ligjore”.

Edhe pse Cakaj ka mbaruar dhe një Master të dytë në Belgjikë, rezulton se s’ka përvojë profesionale, ndërsa përvoja e parë e tij është ajo e zëvendësministrit shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme.

Gent Cakaj rezulton një student i investuar qartësisht nga universiteti në pronësi të George Sorosit dhe studimet e tij të mëpasshme rezultojnë po ashtu të financuara nga OJF  të linjës Soros në Edinburg.

Këto studime përveç se kanë shërbyer për të absorbuar fondet e OJF-ve, nuk rezultojnë të cituara në asnjë material domethënës akademik ose dokumente ndërkombëtare.

Pse nuk u dekretua nga Meta

Gent Cakaj i propozua nga Rama si ministri që do zëvendësonte Ditmir Bushatin në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në ndryshimet qeveritare që ndërmori në fund të vitit.

Me fillimin e janarit, presidenti Meta i dekretoi të gjitha propozimet e kryeministrit duke lënë jashtë kësaj liste vetëm emrin e Gent Cakajt, për të cilin deklaroi në media se priste verifikimet e duhura para se të firmoste dekretin.

Më 10 janar, Meta mori vendimin duke mos e dekretuar emrin e Cakajt si ministër.

Arsyet dhe argumentimi i kreut të shtetit për këtë vendim kishte të bënte me mungesën e përvojës, me mungesën e certifikatës së sigurisë dhe atë të deklaratave të papërgjegjshme dhe të rrezikshme të bëra nga ana e Cakajt për çështjen e kufijve në Ballkan.

Mosdekretimi i Cakajt solli sulmin e kryeministrit Rama, i cili e cilësoi si të turpshëm këtë vendim dhe në shkelje të Kushtetutës, duke deklaruar se do e padiste kreun e shtetit në Gjykatën Kushtetuese, sapo kjo të formohej.

Me betimin e djeshëm si ministër dhe më pas me delegimin e këtij pozicioni te Cakaj, Rama qartazi ka mashtuar publikun dhe ka çuar deri në fund të tijën, edhe pse te kandidati i tij nuk ka ndryshuar asgjë dhe ai ende nuk i plotëson kushtet e argumentuara nga Meta, për të përfaqësuar Shqipërinë si ministër.

/Hashtag.al