Vendosni fjalën kyçe....

Si i shpëtuan policisë, trafikantët me gomonen ku kishin 1 ton drogë


Policia ka dhënë hollësi lidhur me operacionin ku u kap një sasi prej 1 ton drogë. Sipas bluve, operacioni ka nisur në orët e para të mëngjesit me pikasjen e gomones dhe më pas ndjekja ka vijuar në det.

Në operacion kanë marrë pjesë përveç policive të Fierit e Vlorës, edhe FNSH-ja dhe Guardia di Finanza.

Pas ndjekjes në det trafikantët janë futur në grykëderdhjen e Vjosës dhe më pas kanë mundur të shpëtojnë duke humbur gjurmët në pyll.

“Fier – Operacioni “Vjosa”, Policia parandalon një tentativë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike

Policia e Shtetit në bashkëpunim me partnerët e Guardia di Finanza-s kanë parandaluar një tentativë për trafik lënde narkotike, përmes detit drejt Italisë. Operacioni nisi rreth orës 03:30 të mëngjes, kur u pikas mjeti lundrues disa milje në det.

Policia Kufitare e Vlorës dhe GdF kanë vijuar ndjekjen në det. Forcat operacionale të FNSH-së Fier dhe të Policisë lokale Fier e Vlorë kanë organizuar punën duke patrulluar me disa grupe nga toka, megjithë kushtet e vështira të motit. Ndjekja policore detyroi trafikantët të futeshin në grykëderdhjen e lumit.

 Aty braktisën mjetin lundrues dhe lëndën narkotike në buzë të lumit Vjosë, pranë fshatit Bishan. Duke përfituar nga errësira, të dyshuarit janë larguar në drejtim të pyllit. Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe vijojnë ndjekjen për kapjen e tyre.

Policia sekuestroi 1 mjet lundrues, 2 automjete, një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, si dhe prova të tjera që ndihmojnë hetimin.

Nën drejtimin e një grupi të posaçëm po vijojnë hetimet intensive për ndalimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe përballjen e tyre me drejtësinë.” – thuhet në njoftim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *