Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi vendos, gjendja e Fatkeqësisë Natyrore shtyhet deri më 23 qershor


Kuvendi sapo ka miratuar vendimin e kryeministrit Edi Rama, për shtyjen e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore deri më 23 qershor.

Ky votim tregoi edhe njëherë se maxhoranca nuk ka vetëm votat e deputetëve të saj, por edhe të atyre të opozitës, pasi vetëm 5 deputetë votuan kundër. 91 deputetë votuan pro këtij vendimi, dhe 3 abstenuan.

Në seancën e sotme plenare, zëri më kundërshtar lidhur me këtë vendim ishte ai i deputetit Ralf Gjoni.

Ai tha se nuk ishte dakord me zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrorore, pasi sipas tij nuk sheh një fatkeqësi natyrore në vendin tonë. Gjoni madje shtoi se në tërmetin e 26 nëntorit ka patur më shumë viktima se sa ka shkaktuar koronavirusi sot, po ashtu dhe gripi ka shkaktuar më shumë vdekje vitin e kaluar.

“Unë jam kategorikisht kundër shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, e cila patjetër duhet bërë vetëm me pëlqimin e Kuvendit, por unë nuk shoh kushtet e përshtatshme për logjikën e kërkesës, për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

Unë nuk shoh fatkeqësi natyrore për momentin. Ndjesë kolegë, por 20 e kusur vdekje në llogjikën time të vlerësimit, nuk janë arsye e fortë për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Më shumë persona ka vrarë tërmeti i nëntorit se çka vrarë koronavirusi i famshëm. Më shumë njerëz ka vrarë gripi vitin e kaluar, se çka vrarë koronavirusi këtë vit në Shqipëri.

Pse kjo po ndodh në Shqipëri nuk e dimë, edhe pse është lajm i mirë për ne. Por realiteti është ky, në Shqipëri koronavirusi nuk po bën kërdinë. Ndaj jeta duhet të marrë ritmin e zakonshëm dhe nuk ka nevojë për zgjatjen e gjendjes së zakonshme, sepse kjo i jep tagrin qeverisë që të bëhet edhe më autoritare dhe të vazhdojë zullumet e saj.”– tha deputeti.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, deputeti Taulant Balla, replikoi m Gjonin, duke i kujtuar se sot në vend janë regjistruar 29 raste të reja.

Më pas ai shtoi: “Ju zoti Gjoni thatë, ndjesë nëse gaboj, thatë se nuk është ndonjë gjë e madhe, që ne kemi 27 jetë të humbura. Jo aq po 1 humbje e vetme është fatkeqësi do ju nxisja të gjithëve t’i bëni një telefon kolegut Alimadhi.

Pyeteni Zotin Alimadhi se si është të kalosh Covid, e pastaj hajdeni na shisni dëngla këtu se kjo nuk qenka situatë fatkeqësie.”

Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore kufizohen disa të drejta e liri themelore që garantohen nga Kushtetuta. Bëhet fjalë për nenet 37, 38, 41 pika 4, 49 e 51 të Kushtetutës.Ato kufizohen deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve, sipas vendimit të qeverisë.

Në gjendjen e fatkeqësisë natyrore qytetarëve nuk u garantohet paprekshmëria e banesës, e pronës, e kontrollit të banesës apo vetjak, e lëvizjes së lirë brenda vendit dhe e drejta e gjetjes së punës, e daljes jashtë vendit si dhe e drejta e protestave, grevave dhe tubimeve./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *