Vendosni fjalën kyçe....

Ministri holandez: Vendimi për negociatat pas raportit të Komisionit


Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, priti në takim homologun e tij holandez, Stef Blok, vendi i të cilit është mes anëtarëve skeptikë të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Blok tha se Qeveria e tij do të vendosë pasi të lexojë raportin e Komisionit në pranverë.

Ne jemi të angazhuar dhe të përkushtuar për perspektivën Evropiane të Shqipërisë. E kam përsëritur disa here. Por, në bazë të procesit të dukshëm dhe konkret, është i njëjti mesazh që u kam dhënë dhe vendeve të tjera aspiruese. Bashkimi Evropian është bashkimi i vlerave dhe një prej vlerave më të rëndësishme është shteti ligjor. Sundimi i ligjit është vlera e të drejtave të njeriut kështu që është mëse logjike që unë të përdor të njëjtat kritere dhe për shtetet anëtare aktuale dhe për ato aspiruese dhe nuk po bëjmë gjë tjetër veçse ketë. Jemi shumë të përkushtuar që ta ndihmojmë Shqipërinë të bëjë progres. Kemi parë progres mbresëlënës, por duam që të shikojmë që secili vend aspirues të arrijë më tej”, tha Blok.

Ministri Bushati pohoi se rregullat e lojës janë të qarta dhe se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, të caktuara nga Brukseli, sidomos përsa i përket sundimit të ligjit, tha ai.

“Rregullat e lojës në këtë proces janë të qarta. E kam thënë disa herë që nuk presim një trajtim të diferencuar. Komisioni Evropian ka bërë rekomandimin. Këshilli ka vendosur në qershor një kalendar të qartë. Detyrat gjithashtu janë të qarta. Besoj se është bërë një progres i madh përsa i përket reformave në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi. Çdo proces reformash shoqërohet dhe me sfida më të mëdha dhe unë jam shpresë plotë që Komisioni Evropian dhe vendet anëtare, mbi bazën e logjikës dhe vendimit të qershorit të 2018-ës, do t’i hapin dritën e gjelbër nisjes së bisedimeve për anëtarësimin”, u shpreh Bushati.

Ministri i Jashtëm holandez u takua edhe me Presidentin Meta, i cili inkurajoi bashkëpunim më të ngushtë mes agjencive ligj-zbatuese të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, për të cilin Kreu i Shtetit tha se “nuk duhet lejuar të penalizojë shqiptarët e ndershëm që punojnë dhe jetojnë në vendet e BE-së”. Presidenti uroi që qershori të shënojë çeljen e negociatave me Shqipërisë dhe BE-së, ndërsa shtoi se kjo kërkon angazhimin dhe përgjegjësinë e të gjitha institucioneve të vendit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *