Vendosni fjalën kyçe....

Ulja e tarifave për studentët, reagon Ministria e Arsimit


Pas miratimit të VKM-së, lidhur me kërkesat e studentëve në të cilat përfshihet edhe ulja e tarifës së studimit, ka reaguar Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ajo është shprehur  se janë të angazhuar për zbatimin e kësaj VKM-je. “Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka kërkuar pranë çdo institucioni publik të arsimit të lartë informacion lidhur me numrin total të studentëve që përfitojnë, në rast të plotësimit të kritereve të përmendura në Vendimet e Këshillit të Ministrave të sipërcituar për tarifat dhe bursat.”, njofton ky institucion. 

Deklarata e plotë:

Në përmbushje të angazhimeve të Qeverisë Shqiptare për plotësimin e kërkesave të studentëve, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me prioritet, po angazhohet maksimalisht në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, për sigurimin e një informacioni sa më të plotë për identifikimin e numrit të studentëve, si dhe përcaktimin e programit ku ata ndjekin studimet e tyre, për të gjitha kategoritë e parashikuara në secilin prej vendimeve nr.778, 779, 780, 781, 782 dhe 784, datë 26.12.2018 të Këshillit të Ministrave.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka kërkuar pranë çdo institucioni publik të arsimit të lartë informacion lidhur me numrin total të studentëve që përfitojnë, në rast të plotësimit të kritereve të përmendura në Vendimet e Këshillit të Ministrave të sipërcituar për tarifat dhe bursat.

Strukturat përkatëse pranë universiteteve publike janë angazhuar plotësisht për të mundësuar brenda datës 11.01.2019 gjithë informacionin e nevojshëm.

Pas marrjes së këtij informacioni do të vijohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë të lëvrohet fondi i nevojshëm për subvencionimin e IAL-ve publike në përballimin e efektit financiar, në zbatim të vendimeve.

Sekretaritë mësimore pranë universiteteve dhe administratorët do të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët. Veprimtaria e tyre do të monitorohet për të mos pasur asnjë keqinformim apo veprim në kundërshtim me vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *