Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet për herë të dytë ish-deputeti turk i akuzuar për terrorizëm


Një gjykatë turke urdhëroi këtë të hënë lirimin e ish-ligjvënësit kryesor të Partisë Republikane Popullore  (CHP), Eren Erdem, i cili u arrestua në qershor të vitit 2018 i akuzuar për lidhje me një organizatë terroriste.

Mirëpo pas aktvendimit, Kryeprokuroria e Stambollit kundërshtoi vendimin për lirimin dhe një gjykatë më e lartë dha një urdhër të ri arrestimi si një masë paraprake kundër largimit të Erdem nga vendi, shkruan “Ahval”.

Erdem akuzohet për punën e tij gjatë kohësqë punonte si kryeredaktor i gazetës Karşı. Ish-ligjvënësi 32-vjeçar akuzohet për lidhje me lëvizjen Gylen, të cilën Ankaraja e konsideron  si organizatë terroriste dhe e akuzon për krijimin e përpjekjes së grushtit të 15 korrikut të vitit 2016.

Erdem përballet me rrezikun për t’u dënuar me 8.5-19 vjetë burg për “ndihmë ndaj një organizate terroriste”, “zbulimin e identitetit të një dëshmitari të fshehtë” dhe “shkelje të konfidencialitetit të një hetimi penal” gjatë botimit të përgjimeve të paligjshme kur ai ishte redaktor i gazetës opozitare.

Vetë ai mohon akuzat se ka ndihmuar pasuesit e klerit amerikan Fethullah Gulen.