Vendosni fjalën kyçe....

Ina Nuka kthehet në Shqipëri: S’kam mëri personale me askënd! (VIDEO)


E plagosur nga një kapsollë gjatë protestës së 22 Nëntorit para Kuvendit, policja Ina Nuka ka mbërritur mbrëmjen e kaluar në Rinas, pas trajtimit mjekësor të specializuar në Ankara të Turqisë.

Të shumtë ishin ata që e pritën Nukën në aeroport, që nga Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Gjovalin Loka, Zv/drejtori për Rendin në DVP Tiranë Dhimitraq Ziu, drejtues të tjerë të lartë të Policisë, kolegë, miq e të afërm.

Nuka dha edhe një prononcim të shkurtër për mediat, ku tha që s’ka mëri personale për askënd për incidentin që i ka ndodhur, ndërsa falenderoi të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe pozitive dhe e kanë mbështetur gjatë kësaj kohe.

“Mirënjohje e falënderim për gjithë shqiptarët që me mesazhet e tyre u solidarizuan dhe më mbështetën, ndjehem e përulur përpara tyre. Falënderoj Kryeministrin e vendit, që bëri të mundur dërgimin tim në Turqi për ndërhyrje krirugjikale shumë të specializuar, Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për inkurajimin dhe mbështetjen që më dhanë, kolegët dhe cilindo që u bë pjesë e dhimbjes sime.

Falënderim i veçantë për mjekët e spitalit në Ankara, të cilët kryen tre operacione për të rikuperuar dëmtimin e madh të gishtave të dorës, si dhe qeverinë turke dhe ambasadorin e Shqipërisë në Turqi.

Unë jam punonjëse Policie, isha duke bërë detyrën dhe zbatuar ligjin, s’kam asnjë mëri personale me askënd, për cilindo që shkel ligjin, të veprojë ligji. Dua të përcjell një mesazh, të mos reflektojmë dhunë, të mbrojmë jetën e ta duam më shumë atë.

Kurrë s’do heq dorë nga Policia, pasi jam privuar nga shumë gjëra të tjera për të realizuar ëndrrën time, të jem pjesë e Policisë së Shtetit.”, tha Nuka.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *