Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri Dariel Sina, në konflikt interesi me gjyqtarin Dedja


Prej disa muajsh, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët i janë nënshtruar një procesi verifikimi, i njohur ndryshe si vetting. Prokurorët dhe gjyqtarët kontrollohen në 3 shkallë: Për sa i përket pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.

Në rastet kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendos që një zyrtar e kalon me sukses vettingun, i takon Komisionerit Publik që të apelojë vendimin duke e çuar çështjen në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Pas shkarkimit të Herald Saraçit, si Komisioner Publik në muajin mars 2018, vendin e tij e ka marrë Dariel Sina.

Ky i fundit ka qenë një nga kandidatët që ka konkurruar për një vend si gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut, por pas votimit nuk mundi dot që të kualifikohej për të qenë në treshen finale që do i paraqitej për miratim institucionit të lartpërmendur.

Vendimi për moskualifikimin e Sinës për në Strasburg u mor nga një komision që përbëhej prej Luan Omarit (Konstitucionalist, ish-anëtar i Komisionit të Venecias), Kristaq Trajës (Ish-gjyqtar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut), Bashkim Dedjas (Kryetar i Gjykatës Kushtetuese), Artan Hoxhës (Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, ish- gjyqtar në Gjykatën e Lartë) dhe Artur Metanit (Drejtor i Departamentit të Legjislacionit në Kryeministri).

Në votimin e tij, Dedja, nuk ka votuar për Dariel Sinën si kandidat zyrtar, por për 3 emra të tjerë, të cilët më pas u zyrtarizuan si kandidatë për në gjykatën e Strasburgut.

Kryetari i Kushtetueses e kaloi me sukses seancën e parë të Vettingut, por pas ankimimit të vendimit nga ana e Komisionerit Publik, çëshja ka shkuar në KPA (Kolegji i Posaçëm i Apelimit), që pritet të hetojë pretendimet e komisionerit Sina për gjyqtarin në fjalë. Dedja sipas Sinës nuk “arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë” dhe për këtë arsye duhet të shkarkohet nga detyra.

Raste të ngjashme, janë ankimuar në KPA nga Komisioneri Publik (që përbëhet nga dyshja Florian Ballhysa-Dariel Sina), por nuk mund të thuhet e njëjta gjë në rastin e shumë zyrtarëve të tjerë që e kanë kaluar vettingun pa e justifikuar pasurinë.

Rasti më flagrant është ai i Ardian Dvoranit, i cili e kaloi Vettingun në korrik 2017 edhe pse nuk justifikonte një pasuri prej 99 milionë lekësh, me justifikimin se kishte harruar të dorëzonte 4 faqe në deklaratat e paurisë. Pretendimi i tij u mor parasysh edhe nga Komisioneri Publik, që nuk e ankimoi vendimin ndaj Dvoranit.

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *