Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Prokuroria i ka faktet e abuzimit me tenderin e Unazës së Re, të nisë menjëherë hetimet


Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka kërkuar hetim të menjëhershëm të aferës në Unazën e Re.

Në një dalje për mediat nga selia e LSI-së, Kryemadhi, bëri thirrje që banorët të dëmshpërblehen në mënyrë të drejtë.

Ajo tha se mbrëmjen e djeshme u faktua abuzimi dhe falsifikimi me dokumentet e tenderit te Unaza e Re dhe prokuroria i ka tashmë faktet dhe duhet të nisë hetimet.

Deklarata e Kryemadhit

Kryemadhi: Prokuroria e ka veprën penale tashmë dhe nuk ka më se çfarë pret, për të filluar hetimin e kësaj vepre korruptive

Kryemadhi: Shpërblimi i drejtë, sipas ligjit është më e pakta që mund të bëjë qeveria shqiptare. Nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar që një projekt për një rrugë që është 2.2 kilometra dhe kushton 48 milionë euro dhe ka zero para për banorët për dëmshpërblimin e rrugëve të saj.

Kryemadhi: Kjo është qeveria që bën qeverinë më të mundshme raciste që kemi parë ndonjëherë në këto 27 vjet.

Përshëndetje, dalim sot në këtë qëndrim të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të bërë të qartë edhe një herë që të gjithë qytetarët, të cilët kanë ndërtuar shtëpitë e tyre dhe pronat e tyre gjatë gjithë kohës së periudhës së tranzicionit në Shqipëri,  janë tashmë pronarë të pronave, të banesave, të godinave dhe të tokave të tyre.

Dhe këtë të drejtë, nuk ja u ka dhënë politika, por këtë të drejtë ja u ka dhënë ligji në vitin 2006. Kjo është më se e qartë, dhe tashmë sot dua t’a ritheksoj edhe një herë që çështja e “Unazës së Re” është një çështje, e cila duhet të zgjidhet përfundimisht për banorët e “Unazës së Re”. Pronarë nuk i bën banorët e “Unazës së Re”, as Artan Lame, as Afrim Qendro, as Erion Veliaj dhe as Edi Rama, pronarë banorët e “Unazës së Re” i ka bërë ligji i vitit 2006, të cilin ne si politikë apo si institucione e kemi shkelur me të dyja këmbët.

Pabarazia përpara ligjit që ka krijuar një përçarje midis shqiptarëve nga pikëpamja kushtetuese quhet diskriminim. Kjo është qeveria që bën qeverinë më të mundshme raciste që kemi parë ndonjëherë në këto 27 vjet. Tenderi i “Unazës së Re” i cili dje u faktua nga një emision, ku kishte të falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregon edhe njëherë që ka kaluar çdo shkallë dhe çdo normë morale dhe ligjore të kësaj qeverie.

Tenderi i “Unazës së Re”, jo vetëm që është një vepër korruptive, por është një ndasi sociale që përbën diskriminim ndaj qytetarëve. Prokuroria e ka veprën penale tashmë dhe nuk ka më se çfarë pret, për të filluar hetimin e kësaj vepre korruptive, por jo vetëm korruptive, por edhe diskriminuese dhe raciste dhe të shkeljes së ligjit, e cila është bërë haptas ditën me diell.

Tashmë, Prokuroria ka përpara korrupsionin e tenderit, ka përpara dokumente të falsifikuara, ka përpara korrupsion në projektim, ka përpara falsifikim dokumentesh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj nuk mbetet gjë tjetër që të tregojë angazhimin e saj, për të treguar edhe njëherë që ne kemi bërë Reformë në Drejtësi.

Shpërblimi i drejtë, sipas ligjit është më e pakta që mund të bëjë qeveria shqiptare. Nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar që një projekt për një rrugë që është 2.2 kilometra dhe kushton 48 milionë euro dhe ka zero para për banorët për dëmshpërblimin e rrugëve të saj.

Prandaj, edhe njëherë i bëj thirrje Prokurorisë shqiptare që të nisë sa më shpejt procedimin penal ndaj të gjithë hartuesve të këtij projekti famëkeq dhe grabitës disa herë të qytetarëve shqiptarë. I bëj thirrje të gjithë atyre të cilët janë të përfshirë në këtë zullum vjedhjeje që të kthejnë sytë nga qytetarët, sepse është e drejta jonë t’u shërbejmë qytetarëve dhe të luftojmë për ta.

Sepse ajo qëndresë për më shumë se një muaj e atyre banorëve është një mësim i mirë për politikën, është një mësim i mirë për të gjithë ne që kemi qenë pjesë e shtetit, e qeverisjes sepse ky vend nuk mund të drejtohet më me interesa të vogla, por ky vend duhet të drejtohet në shërbim të qytetarëve.

 Ky vend dhe ky shtet duhet të mendojnë për njerëzit e tij. Sot, më shumë se kurrë të gjithë ne pa dallim bindjesh politike, feje, krahine dhe ideje duhet të jemi kompakt për të ndaluar njëherë e përgjithmonë këtë diskriminim, këtë përçarje të qytetarëve shqiptarë përpara ligjit.

Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë, sepse e vetmja mënyrë që Shqipëria të ecë përpara është kjo. E vetmja mënyrë që shqiptarët të jetojnë në lumtur në Shqipëri është që të gjithë të jenë të barabartë. E vetmja mënyrë që ata studentë që protestojnë sot, të jenë të barabartë.

Nuk mundet më kjo qeveri, e cila me arrogancën e saj, e cila me të gjithë fuqinë e saj e harxhon për propagandë, e harxhon për të intimiduar dhe për të kërcënuar njerëzit, nuk mund ta vazhdojë dot më gjatë.

Prandaj, i bëj thirrje Prokurorisë shqiptare dhe njëherë që të fillojë hetimin dhe të ndalojë projektin famëkeq, përçarës, diskriminues, grabitës të pronave të banorëve të unazës së Re dhe të gjithë banorëve të tjerë, të cilët kanë qenë viktima të këtyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *