Vendosni fjalën kyçe....

Vendi në Këshillin e Sigurimit, idea gjermane: Franca t’ia dorëzojë BE-së


Ministri gjerman i financave, Olaf Scholz, propozoi të mërkurën që Franca të heqë dorë nga vendi i saj i përhershëm në këshillin e sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe ta kthejë atë në një vend të BE, çka do ta lejonte bllokun të fliste me një zë të vetëm në skenën globale.

“Unë e kuptoj që për këtë duhet bindur shumëkush në Paris, por do të ishte dicka shumë e mirë dhe e zgjuar”, u shpreh Scholz.

Për të zbutur dhimbjen e vendit të humbur, Franca mund të merrte postin e ambasadorit të përhershëm të BE në kombet e bashkuara, propozon Scholz, që është edhe zëvendës-kancelar i Gjermanisë.

Franca është një nga pesë anëtarët e përhershëm të këshillit të sigurimit të kombeve të bashkuara që kur organizmi është krijuar në 1945. Anëtarët e përhershëm, mes të cilëve edhe Britania, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vendet më me ndikim në organin me 193 shtete anëtare, për shkak se kanë të drejtën e vetos për rezolutat e kombeve të bashkuara.

Përveç pesë anëtarëve të përhershëm, Këshilli i sigurimit ka edhe 10 anëtarë të tjerë jo të përhershëm, që zgjidhen me mandate dy vjeçare. Gjermania, do ta marrë vendin e saj në Këshillin e Sigurimit në janar.