Vendosni fjalën kyçe....

Gazprom do ndalojë një tjetër turbinë në tubacionin e madh të gazit, shqetësim në BE


Kompania ruse e energjisë Gazprom do ndalojë funksionimin e një turbine tjetër Siemens, njoftoi kompania të hënën.

Furnizimi përmes gazsjellësit Nord Stream 1 nuk do kalojë 33 milionë metra kub në ditë duke filluar nga 27 korriku, raporton e përditshmja e biznesit Kommersant. Kjo do të korrespondonte me 20% të kapacitetit të tubacionit.

Gazprom thotë se vendimi për të fikur turbinën është marrë në bazë të gjendjes së saj teknike dhe faktit që pritet të riparohet.

Sipas një raporti të mëparshëm nga Kommersant, disa nga nëntë turbinat në stacionin e kompresorit Portovaya kanë nevojë për riparim.

Marrëveshja e tanishme e licencimit lejon Siemens Energy të pranojë pesë turbina të tjera për riparim para fundit të vitit 2024.

Kjo pason një mosmarrëveshje midis Rusisë, Kanadasë dhe Gjermanisë mbi një turbinë Siemens që ishte dërguar në Montreal për riparime dhe nuk u kthye në kohë për shkak të sanksioneve të Otavës kundër Moskës.

Gazprom përmendi vonesën si arsye për një zvogëlim prej 60% të rrjedhës së gazit në Gjermani muajin e kaluar. Kanadaja përfundimisht e dërgoi pjesën në Gjermani, ku tani është në pritje të dërgesës në Rusi.

Gazprom tha më herët të hënën se dokumentet që kishte marrë nga Kanadaja dhe Siemens në lidhje me dërgesën e turbinës nuk i sqaruan pyetjet në lidhje me sanksionet.

Javën e kaluar, kancelari gjerman Olaf Scholz sugjeroi se Berlini nuk mund të mbështetej më tek Moska kur ishte fjala për furnizimin me gaz dhe tha se nuk ishte i bindur nga deklaratat e Rusisë se turbina e riparuar e Siemens që ishte vonuar ishte e nevojshme për funksionimin e plotë të gazsjellësit.