Vendosni fjalën kyçe....

Grevë për pagat dhe pensionet, paralizohet Athina


Mijëra vetë protestuan në Athinë të mërkurën në një grevë 24 orëshe në lidhje me pagat dhe pensionet dhe kjo lëvizje ka shkaktuar probleme në trafik.

Rreth 7 mijë vetë iu përgjigjën apelit të sindikatës më të madhe greke të sektorit privat, por pjesëmarrja ishte më e ulët në krahasim me grevat e të shkuarës. Greva u kufizua në anijet e pasagjerëve në porte, ndali trenat ndërqytetës dhe pengoi transportit publik në kryeqytetin grek, duke shkaktuar bllokime të mëdha në trafik.

Sindikatat duan që kryeministri Aleksis Tsipras të rrisë pagat tani që vendi ka dalë nga kriza që i kishte detyruar qeveritë e mëparshme të reduktonin shpenzimet, përfshirë këtu edhe pagat, gjatë tetë viteve të kaluara.

“Është një periudhë e vështirë për të gjithë, sigurisht kriza ka lënë pasoja kudo. Ndaj ne kemi dalë sot në protestë, për të kërkuar diçka më të mirë për të gjithë”, u shpreh një protestues.

Sindikatat kërkojnë rritjen e pagës minimale në 751 euro nga rreth 580 euro që është aktualisht. Sipas mediave greke, pagat në vend ranë çdo vit me një mesatare prej 3.1 përqindësh mes viteve 2008-2017.

Greqia doli nga plani i saj i shpëtimit në gusht, por mbetet nën një program survejim dhe ka borxhe prej miliarda eurosh. Papunësia për të parën herë që nga 2011 ka rënë nën 20 për qind, por pjesa më e madhe e grekëve ankohen për taksat e larta dhe të ardhurat e reduktuara në mënyrë drastike.