Vendosni fjalën kyçe....

“Kadare e propozoi për president”, çfarë thoshte Rama për Sandër Lleshin në 2013-ën


Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama dha lajmin për dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, ndërsa emëronte edhe personin që do e zëvendësonte – Sandër Lleshin.

Një emër ky jo i panjohur, por që në vitin 2013, kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe e prezantoi Sandër Lleshin, si këshilltar për mbrojtjen në Kryeministri, tha se emrin e tij ia kishte prezantuar Ismail Kadare, por për President.

“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes mediave kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë.
Dhe njohja nga afër erdhi kur pas zgjedhjeve e thirra për ta dëgjuar lidhur me gjithë çka kishte denoncuar publikisht, si edhe me idetë e tij për të ardhmen e dikasterit qendror të mbrojtjes si edhe të vetë Forcave të Armatosura natyrisht.
Pas disa komunikimesh kuptova besoj, arsyet pse shkrimtari i shquar e kishte menduar si president të denjë për vendin këtë gjeneral të panjohur.

I edukuar në perëndim, njohës i mirë i historisë dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje – Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri.”, deklaronte Rama në 2013-ën.

Sandër Lleshi është ish-gjeneral i Forcave të Armatosura dhe që prej vitit 2010 ka mabjtur postin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Në 2013-ën u bë këshilltar i Ramës për mbrojtjen.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *