Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Rama ka instaluar shtetin privat, gjithçka për të shpëtuar Xhafajn, Ballën & Co


Kreu i Partisë Demokratike, Basha, ka dhënë një deklaratë për mediat nga selia blu, ku ka thënë se Rama ka instaluar në vend shtetin e tij privat.

Sipas kryedemokratit, pjesë e kësaj strukture është ministri i Brendshëm, Xhafaj, Kryeprokurorja Arta Marku dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Basha tha se shteti privat i Edi Ramës është në funksion të krimit të organizuar dhe po manipulon gjithçka për të shpëtuar Fatmir Xhafajn dhe Taulant Ballën nga skandalet ku janë përfshirë.

Ai tha se nëse deri dje shteti mbronte Habuilajt, sot mbron Xhafajt dhe Ballën të kapur në skandale të njëpasnjëshme.

“Dje Rama  e pranoi ekzistencën e shtetit privat, kur deklaroi se ka strukturë të posaçme hetimore që i shërben atij personalisht. Përbërja e këtij shteti privat janë deputetë, drejtori i policisë dhe prokurorë që fabrikojnë prova.

Pjesë e kësaj strukture janë Xhafaj dhe Arta Marku. Kryeministri, Taulant Balla, Ardi Veliu kanë komplotuar së bashku për të manipuluar të vërtetën dhe për të mbrojtur Agron Xhafajn dhe vëllain e tij, ministrin e Brendshëm.

Ai e përdori shtetin për të sulmuar gazetarët dhe denoncuesit për të shpëtuar trafikantin Agron Xhafaj. I njëjti shtet privat po bën gjithçka për të shpëtuar  Taulant Ballën dhe Rexhep Rrajën dhe kërcënuan nënkomisarin Emiljano Nuhu. Dhe më pas detyruan denoncuesen e dhunës që të mohojë dhunën.

Jemi në kushtet e një diktature mafioze. Ngjarjet kanë vërtetuar ato që ka denoncuar opozita që ditën e parë të saj. Emërimi i Xhafajt ishte triumfi i një bande mbi një tjetër. Dje shteti mbronte Habilajt, sot mbron Xhafajt.

Policia është në shërbim të krimit nën Fatmir Xhafajt. Arta Marku ka rezultuar një katastrofë në drejtësi. U soll politikisht për të mbrojtur lidhjet e qeverisë me krimin. I ka shkatërruar Krimet e Rënda dhe ka shkatërruar provat ndaj Tahirit, Dakos, Sejdini, Gjiknurit, Ballës. Nuk ka për të nisur hetimet për lidhjet kriminale të Taulant Ballës.

Ngjarjet e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah shkatërrimin e shtetit të së drejtës. Ky shtet privat, kjo diktaturë mafioze duhet dhe do shkatërrohet. Të gjithë do japin llogari para ligjit. Rama, Xhafaj, Balla, Marku dhe Veliu dhe shërbëtorët e tyre do dalin para drejtësisë, njësoj siç do dalintë gjithë kriminelët. Pushteti i tyre nuk e ka të gjatë. Rruga e pandëshkueshmërisë do marrë fund me pushtetin e tyre.” – tha Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *