Aktivistja Sidorela Vatnikaj, gjatë fjalës së saj në protestën para Kryeministrisë, deklaroi se 42 ditët e protestave kanë treguar se shqiptarët nuk e meritojnë qeverinë aktuale dhe se janë të gatshëm të ngrihen në mbrojtje të demokracisë.
“Për 36 vjet punuan për të na mësuar se jemi një popull i pacivilizuar, që nuk formojmë dot shtet, që nuk revoltohemi dhe nuk bëhemi dot bashkë. Për 36 vite na rrënuan, na lanë pa arsim dhe na quajtën kriminelë. Ajo që ka ndodhur këto 42 ditë e përmbysi këtë narrativë. Shoqëria shqiptare doli e gjitha në rrugë në solidaritet dhe treguam se jo çdo popull e meriton qeverinë që ka. Shoqëria shqiptare nuk e meriton Edi Ramën kryeministër dhe Belinda Ballukun zëvendëskryeministre. Në këto 42 ditë kemi treguar se dimë të artikulohemi dhe se mund të krijojmë një Shqipëri të re, pa hajdutë në krye të shtetit,” u shpreh ajo.
Vatnikaj theksoi se protestat nuk janë kufizuar vetëm në Tiranë, por janë shtrirë në qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë Shqipërisë.
“Kjo nuk ndodh vetëm në Tiranë. E keni parë sesi janë organizuar Elbasani, Korça dhe Lezha. E keni parë sesi janë organizuar shqiptarët në çdo cep të Shteteve të Bashkuara dhe të Europës? Ata menduan se Botërori do të na mposhtte, se vapa dhe pushimet i kemi më të shtrenjta se demokracinë, por ne, si në ditën e parë, jemi këtu duke kërkuar: Rama, jep dorëheqjen,” deklaroi aktivistja.
