Vendosni fjalën kyçe....

Apeli lë në fuqi dënimin me 16 vite burg për vrasjen e Martin Canit, familja: Pretendonim më shumë


Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 16 vite burg për autorin e mitur të vrasjes së Martin Canit, duke vulosur vendimin e Shkallës së Parë për ngjarjen e ndodhur më 18 nëntor 2024.

I njëjti vendim ishte dhënë në dhjetor të vitit 2025 nga Gjykata e Tiranës, por familja e 14-vjeçarit e kishte ankimuar, duke kërkuar një dënim më të rëndë, prej 18 vitesh burg. Nga ana tjetër, mbrojtja e të miturit kërkoi pafajësi.

“Ne i qëndrojmë mendimit se ky është një vendim që ka sjellë një lloj drejtësie për familjarët, pasi ngjarja ka qenë shumë e rëndë dhe ka humbur jetën një i mitur. Jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës. Pretendimet tona lidhen me masën e dënimit. Fakti që Apeli e ka lënë në fuqi është pozitiv,” u shpreh avokati i familjes Cani, Redi Ramaj.

Babai i viktimës, Engjëll Cani, tha se familja priste një dënim më të rëndë.

“Kjo që na ka ndodhur ne mos i ndodhtë askujt. Dhimbja jonë është shumë e madhe dhe e paimagjinueshme. Ligjet janë ligje, por ne pretendonim më shumë. Ka dy rrethana cilësuese. Dhimbja jonë nuk hiqet asnjëherë,” deklaroi ai.

Vrasja e Martin Canit tronditi opinionin publik dhe çoi më pas në vendimin e qeverisë për mbylljen njëvjeçare të TikTok-ut.

Sipas hetimeve, konflikti mes dy bashkëmoshatarëve nisi në rrjetet sociale dhe vijoi edhe në ambientet e shkollës “Fan Noli”. Më 18 nëntor 2024, pas përfundimit të mësimit, të dy u takuan në një rrugicë pranë shkollës për t’u sqaruar, ku autori goditi disa herë me thikë Martin Canin, duke i shkaktuar plagë fatale. Gjatë sulmit mbeti i plagosur edhe një shok i viktimës, i cili kishte ndërhyrë për ta ndihmuar.

Pas krimit, autori hodhi thikën në tarracën e një ndërtese pranë shkollës dhe u arrestua disa orë më vonë në një spital privat, ku kishte shkuar për të marrë ndihmë mjekësore pasi edhe vetë ishte lënduar.

Hetimet zbuluan se mes dy të miturve kishte pasur përplasje të mëparshme edhe brenda shkollës, të cilat nuk u trajtuan në kohë nga strukturat e sigurisë dhe stafi pedagogjik.