Vendosni fjalën kyçe....

Kristi Noem do divorcohet pas fotove të bashkëshortit të veshur si grua


Ish-shefja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, po divorcohet nga bashkëshorti i saj Bryon, pas zbulimit të fotove ku ai shfaqej i veshur si grua, sipas nënës së ish-guvernatores së Dakotës së Jugut.

“Ka qenë e vështirë, por ne e dinim se kjo do vinte një ditë, që ata do divorcoheshin”, i tha Corinne Arnold gazetës Daily Mail në shtëpinë e saj pranë fermës ku familja Noem jetoi dhe rriti tre fëmijët e tyre.

Arnold tha se vajza e saj i kishte rrëfyer planet për divorc në fund të pranverës, jo shumë kohë pasi u publikuan fotografi të Bryonit, 56 vjeç, ku ai shfaqej me gjoks artificial shumë të madh.

Nuk është e qartë nëse Kristi Noem, e cila dyshohet se ka pasur për vite me radhë një lidhje jashtëmartesore me ish-menaxherin e fushatës së Donald Trumpit, Corey Lewandowski, e ka ndryshuar mendjen muajt e fundit. Deri tani nuk janë bërë publike dokumente zyrtare për divorcin.

Arnold tha se e mësoi lajmin kur e gjithë familja mori pjesë në festën e ditëlindjes së nipit të çiftit, i cili është përfshirë në një sërë skandalesh.

“Ajo nuk më tregon se çfarë mendon. Më në fund i thashë: ‘Cili është problemi? A do bashkoheni përsëri?’ Dhe ajo tha: ‘Jo. Jo. Ne do divorcohemi’”, i tha nëna e Noemit gazetës Daily Mail.

Në fund të marsit, gazeta raportoi se Bryon Noem kishte komunikuar me gra nga e ashtuquajtura skenë fetish “bimbofication”, ku performuesit e rrisin gjoksin me sasi të mëdha solucioni fiziologjik për të arritur një pamje të ngjashme me kukullën “Barbie” dhe se ai vetë kishte provuar të njëjtin trend.

Presidenti Donald Trump e shkarkoi Noemin nga posti i saj në Departamentin e Sigurisë Kombëtare më 5 mars, pak para publikimit të këtij zbulimi të sikletshëm.

Sipas burimeve të administratës të cituara nga The Post, “gota që mbushi kupën” për Trumpin ishte paraqitja e Noemit në një seancë dëgjimore në Kongres një ditë më parë, ku ajo refuzoi t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes nëse thashethemet për një “marrëdhënie seksuale” me Lewandowskin ishin të vërteta.

Mospranimi i saj i drejtpërdrejtë – ndërsa bashkëshorti i saj Bryon, me të cilin ishte martuar prej 34 vitesh, ndodhej në sallën e dëgjimit – u interpretua gjerësisht si një pranim i tradhtisë.

Megjithatë, nëna e Noemit këmbënguli se vajza e saj nuk kishte pasur një lidhje me Lewandowskin.

“Kristi nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë”, tha ajo.

“Kështu nuk i kam rritur fëmijët e mi. Dhe Corey ka familjen e tij të mrekullueshme dhe fëmijët e vegjël.”

Burimet thanë gjithashtu se Trump ishte i irrituar që Noem kishte pretenduar se ai kishte miratuar një fushatë publicitare prej 220 milionë dollarësh të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ku protagoniste ishte vetë sekretarja, shkruan NY Post.