Debati në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën është shoqëruar me tone të ashpra mes kryetares së komisionit, Ina Zhupa, dhe deputetit socialist Arkend Balla.
Përplasja nisi pasi Balla paraqiti të dhëna për ecurinë e turizmit në pesëmujorin e parë të vitit 2026, duke folur për rritje të numrit të turistëve dhe duke iu referuar statistikave zyrtare. Zhupa i kundërshtoi këto shifra, duke i cilësuar “broçkulla” dhe duke deklaruar se beson vetëm raportet e Komisionit Europian.
Më pas debati u zhvendos te protestat që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë, ku palët shkëmbyen akuza për organizimin e tyre dhe interpretimin politik të tubimeve.
Pjesë nga debati:
Arkend Balla: Ç’është më këtë siklet?
Ina Zhupa: E kam një siklet, sepse po shkatërroni vendin. Ju s’e keni sepse jeni autorët.
Arkend Balla: Autorët e protestës jeni ju në fakt edhe ju e dini.
Ina Zhupa: Jo, ju jeni autorët e shkatërrimit.
Arkend Balla: Në pesëmujorin e parë të vitit 2026, Shqipëria ka pritur mbi 3.7 milionë turistë të huaj, kundrejt 3.4 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ka një rritje prej 8.2%. Shqipëria u rendit e para në botë për bumin turistik. Po më dëgjon kryetare?
Ina Zhupa: Jo, nuk po ju dëgjoj. Sepse unë kam hequr dorë nga e dëgjuara e broçkullave.
Arkend Balla: Këto janë shifra, a do më dëgjosh?
Ina Zhupa: Jo, nuk do të dëgjoj.
Arkend Balla: Po të tregoj shifrat e INSTAT.
Ina Zhupa: Çfarë do të thotë? Ke ujë këtu? Ke drita këtu? Ke rrugë këtu? Unë besoj vetëm shifrat që prodhon Komisioni Europian.
Arkend Balla: Kë njeh, shifrat e Saliut?
Ina Zhupa: Jo, Saliu nuk prodhon shifra, më thënë të drejtën. Po t’i prodhonte do t’i njihja, sepse do t’i kishte serioze.
Arkend Balla: Zyra e propagandës së PD prodhon shifra marramendëse.
Ina Zhupa: Unë besoj Komisionin Europian.
Arkend Balla: Nuk po më dëgjoje se po merreshe me telefonin. Mos ki merak, nuk të kap algoritmi. Se jeni vetë organizatorët e protestës. Sa e morët ju në dorë “Flamingot” e Saliut, e keni parë se si e keni katandisur.
Ina Zhupa: Zoti Balla, dakordësohuni me njëri-tjetrin. Se njëri thotë nuk jeni ju organizatorët, ju thoni jeni ju, të tjerë thonë iranianët.
Arkend Balla: Nuk jemi si ju, se kur flet Saliu, keni të gjithë një mendim.
