Vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë Evropën ka përshpejtuar ndjeshëm shkrirjen e akullnajave në Zvicër, duke bërë që e gjithë bora dhe akulli i grumbulluar gjatë dimrit të pritet të jenë shkrirë plotësisht deri të hënën, përcjell Euronews.
Sipas organizatës zvicerane të monitorimit të akullnajave GLAMOS, nga kjo ditë e në vazhdim çdo shkrirje shtesë deri në muajin tetor do të çojë në tkurrjen e drejtpërdrejtë të akullnajave.
Ky moment, i njohur si “dita e humbjes së akullnajave”, ka mbërritur shumë më herët se zakonisht. Që nga nisja e matjeve më shumë se dy dekada më parë, vetëm në vitin 2022 ky prag u arrit më herët, më 26 qershor. Në kushte normale, ai regjistrohet rreth mesit të muajit gusht.
Shefi i GLAMOS, Matthias Huss, tha se shkalla e shkrirjes së borës dhe akullit në Alpe është jashtëzakonisht e lartë.
“Jemi rreth tre muaj përpara asaj që do të konsiderohej një gjendje normale dhe e shëndetshme”, u shpreh ai, duke paralajmëruar se akullnajat zvicerane po tkurren me një ritëm të paprecedentë.
Sipas ekspertëve, këtë vit akullnajat morën rreth 25% më pak reshje bore se mesatarja e viteve 2010–2020. Temperaturat mbi normalen gjatë muajve maj dhe qershor, të kombinuara me valën ekstreme të të nxehtit, bënë që bora të shkrihej më herët, duke ekspozuar akullin e errët poshtë saj.
Ky akull thith më shumë rrezatim diellor sesa bora e bardhë, duke përshpejtuar edhe më tej procesin e shkrirjes.
Huss paralajmëroi se, nëse ngrohja globale vazhdon me ritmin e dekadave të fundit, deri në fund të këtij shekulli nga akullnajat e Zvicrës mund të mbeten vetëm fragmente të vogla akulli.
Ndërkohë, temperaturat në disa pjesë të Evropës kanë kaluar 40 gradë Celsius gjatë javës, duke ushtruar presion mbi sistemet shëndetësore dhe shërbimet e emergjencës, si edhe duke shkaktuar viktima. Sipas shkencëtarëve, episodet e tilla ekstreme të të nxehtit janë bërë shumë më të mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike.
