
Policia e disa protestues janë përplasur para kryeministrisë teksa efektivët janë përpjekur të largojnë qytetarët që kanë qëndruar aty gjatë natës.
Efektivët janë përpjekur të heqin këpucët e lëna në shkallët e kryeministrisë dhe karriget metalike, ndërsa protestuesit e kanë kundërshtuar këtë gjë.
Protestuesit i bëjnë thirrje policisë të mos i prekë, madje kërkojnë edhe praninë e policeve femra. Në një moment, një grua revoltohet dhe merr disa këpucë duke i flakur drejt godinës së kryeministrisë.
Tubuesit ngrenë pretendime se policia po ushtron dhunë dhe nuk po i lejon qytetarët në trotuarin publik. “Ja hajdutëria!”, dëgjohet në video. “Kjo është dhuna policore. Ky është provokim.”
Një polic afrohet dhe i heq kamerën personit që filmon, gjë që qytetarët e kundërshtojnë duke i thënë t’i kthejë celularin sepse ka të drejtën e tij, derisa në fund ia kthejnë pajisjen.
