Vendosni fjalën kyçe....

“Revolucioni i Flamingove”- Zanafilla dhe zhvillimi


Nga Aurora Hoxha

23 maj 2026 nisën protestat antiqeveritare në fshatin e Zvërnecit, pranë Lagunës së Nartës. Lëvizja, e cila më vonë do të njihej gjerësisht si “Revolucioni i Flamingove”, lindi si reagim ndaj planeve për zhvillimin e resorteve turistike luksoze në Ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.

Projektet u lidhën me investime të kompanive të përfshira në aktivitetet e biznesmenit amerikan Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump.

Kundërshtimi i protestuesve nuk lidhej vetëm me projektin në vetvete, por edhe me shqetësimet për mungesën e transparencës, ndryshimet e pretenduara në legjislacionin e zonave të mbrojtura dhe konfliktet mbi pronësinë e tokës.

Në ditët e para të protestës, në rrjetet sociale qarkulloi një fotografi që pretendohej se tregonte autobusë të ardhur nga Greqia për të transportuar protestues drejt Shqipërisë. Analiza të ndryshme ngritën dyshime serioze se imazhi mund të ishte krijuar me inteligjencë artificiale.

Një moment vendimtar për lëvizjen erdhi më 30 maj 2026, kur gjatë një proteste në zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe personave të angazhuar në sigurinë e territorit.

Në rrjetet sociale u publikuan video ku shiheshin rojet private të kantierit të ndërtimit duke tërhequr zvarrë një protestues. Pamjet shkaktuan reagime të forta publike dhe u interpretuan nga shumë analistë si pika e kthesës që transformoi një protestë lokale mjedisore në një lëvizje më të gjerë qytetare.

Një ditë më vonë, më 31 maj, protestat u zhvendosën në Tiranë dhe gradualisht u përhapën në qytete të tjera të vendit.

Qendra e mobilizimit u bë Sheshi Skënderbej, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, zona përreth Kryeministrisë dhe Parlamentit. Në ditët dhe javët në vijim protesta u zhvilluan edhe në Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, Kukës, Shkodër, Gjirokastër, Lezhë dhe Fushë-Krujë.

Fillimisht të lidhura me kundërshtimin e projektit në Zvërnec, protestat nisën gradualisht të artikulonin pakënaqësi më të gjera ndaj qeverisjes, korrupsionit, shëndetësisë, arsimit emigracionit, kostos së jetesës dhe gjendjes ekonomike të vendit.

Që në fillim organizatorët këmbëngulën se lëvizja nuk duhej të identifikohej me asnjë parti politike. Në shumë raste protestuesit kërkuan publikisht që partitë të mos merrnin pjesë me flamuj apo simbole partiake, duke insistuar se “Revolucioni i Flamingove” ishte një lëvizje qytetare dhe jo një aksion i opozitës.

Edhe pse fillimisht kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një qëndrim të rezervuar ndaj protestave, me rritjen e pjesëmarrjes dhe mbështetjes publike ai ndryshoi gradualisht pozicion dhe deklaroi mbështetjen e tij për kërkesat e protestuesve.

Protestat u zhvilluan çdo mbrëmje, fillimisht në orën 18:00 dhe më vonë në orën 19:00 për shkak të temperaturave të larta.

Një nga elementet që tërhoqi vëmendjen e opinionit publik ishte fakti se pas përfundimit të çdo tubimi, protestuesit organizoheshin për të pastruar zonat ku ishin mbledhur, duke e paraqitur këtë sjellje si simbol të përgjegjësisë qytetare dhe respektit për hapësirën publike.

3 qershor kryeministri Rama komentoi për CNN protestat e zhvilluara në Tiranë kundër projektit të planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se Shqipëria po përballet me një fushatë dezinformimi dhe me sulme që, sipas tij, vijnë nga kundërshtarë dhe konkurrentë të interesuar për të dëmtuar imazhin e vendit.

I pyetur nga gazetarja e CNN për protestat që janë zhvilluar në Tiranë dhe në zonat bregdetare lidhur me investimin e lidhur me Jared Kushner, Rama kundërshtoi fillimisht përshkrimin e situatës.

“Së pari, ju falënderoj që më jepni këtë mundësi, sepse duhet të them se është vërtet mbresëlënëse të ndiesh peshën e lajmeve të rreme që vijnë edhe nga media që, në sytë e mi, janë shumë të respektuara,” tha Rama.

Kryeministri theksoi se pretendimet për protesta në të gjithë Shqipërinë nuk qëndrojnë.

“Vetëm për ta sqaruar, ju thatë protesta në të gjithë Shqipërinë. Kjo është e pavërtetë. Nuk ka protesta në të gjithë Shqipërinë. Ka një protestë në kryeqytet,” deklaroi ai.

Rama e cilësoi situatën si pjesë të një “lufte hibride”, duke pretenduar se pas fushatës kundër projektit qëndrojnë aktorë të organizuar.

“Ne jemi në një luftë hibride. Shqipëria është nën sulm nga armiq që ne i njohim shumë mirë. Është nën sulm nga konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut,” u shpreh kryeministri.

Sipas tij, një pjesë e debatit publik është nxitur nga rrjete të organizuara në internet.

“Shqipëria është nën sulm nga mijëra e qindra mijëra profile të rreme, bot-e, që janë krijuar për të shkaktuar gjithë këtë stuhi,” tha Rama.

Megjithatë, ai pranoi se në protestë marrin pjesë edhe qytetarë që veprojnë me bindje të sinqerta.

“Sigurisht që ka njerëz me qëllime të mira në këtë protestë, të rinj që përgjithësisht interesohen për mjedisin, por që në masë të madhe janë të keqinformuar,” deklaroi kreu i qeverisë.

Duke iu referuar akuzave që janë ngritur ndaj projektit, Rama mohoi pretendimet se bëhet fjalë për marrjen në kontroll të zonave të mbrojtura nga familja e presidentit amerikan Donald Trump.

“Nuk ekziston diçka e tillë si ‘ishulli i familjes Trump’. Nuk ekziston diçka e tillë si familja e presidentit amerikan që po merr nën kontroll zona të mbrojtura me flamingo,” tha ai.

Media të shumta ndërkombëtare kanë raportuar për protestat e zhvilluara në Shqipëri kundër një projekti të madh turistik në bregdetin jugor, i lidhur me investime të firmës “Affinity Partners” të Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit amerikan Donald Trump. 

Më 4 qershor u shënua një zhvillim i rëndësishëm në zonën e Zvërnecit dhe Porto Novos, ku u hoq plotësisht gardhi rrethues i vendosur më herët.

5 qershor, në Vlorë, kryeministri Edi Rama u përball me pyetjet e një gazetari italian, i cili e ndaloi për një intervistë të shkurtër. Gazetari e pyeti nëse Shqipëria mbetej ende një vend i sigurt për investime, duke iu referuar protestave që po zhvilloheshin në disa qytete të vendit.

Rama u përgjigj se Shqipëria është një vend demokratik, ku protestat janë pjesë e jetës demokratike, ndërsa puna dhe aktiviteti ekonomik vazhdojnë normalisht.

Gjatë bisedës, gazetari e ngacmoi duke i thënë se ai dukej sikur u gjunjëzohej shpesh liderëve perëndimorë. Kryeministri iu kundërpërgjigj duke deklaruar se i gjunjëzohej vetëm kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Gazetari italian: Kryeministër, mirëmbrëma. A është e mundur të investohet ende në Shqipëri

Rama: Pse çfarë ka ndodhur?

Gazetari italian: Janë këto protestat…

Rama: Po Shqipëria është vend demokratik, jeta vazhdon përpara, punët përpara.

Gazetari italian: Po ju a nuk mendoni se u gjunjëzoheni disi shumë liderëve të huaj perëndimorë?

Rama: Jo, unë i gjunjëzohem vetëm  Melonit.

Gazetari italian: Edhe pak Trump-it…

Më 9 qershor, kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat e zhvilluara në Tiranë po shoqëroheshin me një fushatë dezinformimi dhe manipulimi në rrjetet sociale. Ai akuzoi aktorë të jashtëm, përfshirë Iranin, për përhapjen e narrativave që lidhen me protestat. Rama argumentoi gjithashtu se lajme të rreme po përdoren për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë, veçanërisht në sektorin e turizmit.

Po atë ditë, në Tiranë u zhvillua protesta më e madhe që prej nisjes së lëvizjes kundër projektit të Zvërnecit. Mijëra qytetarë marshuan nga Sheshi Skënderbej drejt Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe duke shprehur pakënaqësi ndaj gjithë klasës politike.

Më 10 qershor, kryeministri Edi Rama vijoi kritikat ndaj influencerëve, blogerëve dhe figurave të rrjeteve sociale që kishin mbështetur protestat kundër qeverisë. Gjatë një aktiviteti në Fier me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, ai ironizoi pjesëmarrësit në protesta, duke pretenduar se disa prej tyre po i përdornin tubimet për të fituar më shumë vëmendje, pëlqime dhe ndjekës në rrjetet sociale.

“E mbushin për like e followersa. Ishte edhe një rast tjetër, e kemi në PS. I kishte ikur e dashura në protestë. I kishte thënë: ‘Çfarë bën atje?’ Epo atje i marr liket unë, ku do t’i marr tjetër këtu me ty”, tha Rama.

Ai theksoi se Partia Socialiste është zgjedhur për të qeverisur dhe jo për të ndjekur presionin e protestave, ndërsa ironizoi edhe kundërshtimet ndaj investimeve dhe projekteve të zhvillimit në vend.

Më 13 qershor teksa në Tiranë në Bulevardin “Dëshmorë e Kombit” shënohej dita e 14-të e protestës me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, në Nurenberg me thirrjen “Rama jepe dorëheqjen” dhe “Rama në burg Berisha në burg”, qindra qytetarë dolën në protestë  duke u bërë kështu një tjetër vend nga diaspora shqiptare që në pamundësi të ishin prezent në Shqipëri kanë organizuar protesta në mbarë botën.

Gjithashtu edhe në Francë pas protestës së mbajtur në Paris, me datë 14 qershor emigrantët kanë mbajtur një tjetër protestë, këtë herë në Rennes. Me flamingo, flamuj kuq e zi dhe pankarta në duar emigrantët shqiptarë mbushën rrugët e qytetit me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit.

Protestë u mbajt edhe në Frankfurt më 14 qershor, ku thirrja e protestuesëve ka qënë ” Rama jepe dorëheqjen” njësoj si në vendet e tjera ku janë organizuar protesta.

Protesta dhe tubime mbështetëse janë zhvilluar në Milano, Firence, Londër, Nju Jork, Toronto, Bruksel dhe Bologna ku shqiptarët janë mbledhur për të shprehur solidaritetin me protestuesit në Tiranë.

Me thirrjen “Shpëto Vjosë–Nartën”, në Stokholm u mbajt një protestë më 5 qershor, në orën 18:00. Po me date 5 qershor  pranë Konsullatës Shqiptare në Mynih, në orën 18:30, u zhvillua një tjetër tubim me thirrjen: “Për natyrën, për të drejtën, për Shqipërinë”.

Ndërkohë, në Toronto të Kanadasë, shqiptarët dhe mbështetësit e mbrojtjes së natyrës u mblodhën më 6 qershor në orën 18:00.

Protesta e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me moton “Çohu Shqiptar”, u mbajt po më 6 qershor në orën 14:00.

Me 6 qershor u  mbajtën edhe tri protesta të tjera në Evropë, në Firence, në orën 10:30, në Milano, në orën 10:00, dhe në Londër, në orën 11:00.

Më 14 qershor 2026, deputetja e Partisë Socialiste Marjana Koçeku njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS-së dhe deklaroi se do të vijojë si deputete e pavarur. Ajo theksoi se idealet dhe vlerat e saj kanë qenë gjithmonë të pavarura nga çdo parti politike dhe se ato përcaktojnë kufijtë e saj.

Po atë ditë, kryeministri Edi Rama u përball me një intervistë të gazetares amerikane Ines de La Cuetara nga rrjeti MS NOW, ku u pyet për investimin e planifikuar në Zvërnec dhe për konfliktin e mundshëm të interesit që lidhej me përfshirjen e Jared Kushner.

I pyetur nëse ka konflikt interesi që pas investimit në Zvërnec qëndron dhëndri i presidentit amerikan Trump, Kushner, Rama reagoi në mënyrë të ashpër dhe me nervozizëm se “Kushner po arrin një m*t”.

“Doni që unë të besoj se papritmas media amerikane, influencerat amerikanë, bota amerikane po kujdesen për disa flamingo në Shqipëri?” – tha ai.

Në fund, Rama deklaroi se nuk kishte ndërmend të japë dorëheqjen, duke e lidhur situatën me, siç u shpreh ai, rezistencën ndaj projekteve të mëdha zhvillimore në vend.

Një nga momentet më të veçanta të lëvizjes u regjistrua më 15 qershor, kur protestuesit marshuan për disa orë nga qendra e Tiranës drejt aeroportit të Rinasit.

Marshimi, i cili përfundoi në orët e para të mëngjesit, u konsiderua si një nga aksionet më të gjata  të organizuara gjatë protestave. Ndërkohë u zhvilluan edhe iniciativa simbolike, si thirrja për të sjellë këpucë përpara Kryeministrisë, në shenjë proteste kundër emigrimit masiv dhe shpopullimit të vendit.

Më 16 qershor 2026, pas pjesëmarrjes në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, kryeministri Edi Rama u përball me protesta të organizuara nga shqiptarët e diasporës. Protestuesit e pritën atë në Berlin, duke kërkuar në kor dorëheqjen e tij.

Në pamjet e publikuara, kryeministri shihet duke i përshëndetur shkurt protestuesit përpara se të hipte në automjet dhe të largohej nga vendi i ngjarjes.

Kulmi i lëvizjes u arrit më 20 qershor 2026, kur u zhvillua protesta më e madhe e “Revolucionit të Flamingove”. Në protestë morën pjesë qindra mijëra qytetarë, ndërsa Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbush nga Sheshi Skënderbej deri te Sheshi “Nënë Tereza”.

Ndërkohë, media të shumta ndërkombëtare raportuan për zhvillimet në Shqipëri, duke e paraqitur konfliktin si një përballje mes interesave të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit.

Më 23 qershor 2026, strategu dhe konsulenti izraelit David Zaikin reagoi në rrjetin social X lidhur me situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Ai deklaroi se vendi ka nevojë për një lidership të ri dhe për një qeveri teknike.

Zaikin u shpreh se, megjithëse investimet janë të rëndësishme, gjatë qeverisjes së Edi Ramës ekonomia shqiptare është ndikuar nga paratë e drogës dhe nga përqendrimi i sektorëve strategjikë në duart e një numri të vogël individësh. Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë për një drejtim të ri politik dhe një qeveri kujdestare.

“Jam dakord me Edi Ramën: investimet janë të mira dhe mafia ka një udhëheqës tjetër. Por gjatë qeverisjes së tij, paratë e drogës kanë vërshuar në vend dhe disa oligarkë kanë kapur turizmin, tregtinë dhe energjinë. Shqipëria ka nevojë për lidership të ri dhe një qeveri kujdestare,” shkroi Zaikin.

Protestat vijojnë në mbarë vendin të mbështetura edhe nga diaspora. Protestuesit kanë bërëtë qartë që protstat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Hashtag.al