Vendosni fjalën kyçe....

“Metamorfoza”/ GJKKO dënon me 6 vite burg biznesmenin Pëllumb Gjoka


TIRANË – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtor biznesmenin Pëllumb Gjoka në kuadër të dosjes së bujshme “Metamorfoza”, duke e dënuar me 6 vite burgim për disa nga akuzat e ngritura nga SPAK.

Sipas vendimit të GJKKO-së, Gjoka u gjet fajtor për veprat penale të krijimit të kushteve për të kryer vrasje, pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsionit. Ndërkohë, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm për akuzën e armëmbajtjes pa leje.

Në të njëjtën dosje u dënua edhe ish-oficeri i Policisë së Shtetit, Ardit Hasanbegaj, i cili mori një dënim me 5 vite burgim.

Të dy u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza”, një nga hetimet më të rëndësishme të SPAK kundër krimit të organizuar, i mbështetur në komunikimet e zbërthyera nga aplikacionet e enkriptuara.

 Gjoka dhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal Bajri vijojnë të gjykohen me procedurë të zakonshme për akuzën e vrasjes së Gjin Ndojit, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Vaun e Dejës.