
Biznesmeni Ilir Shtufi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare për pastrim parash dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, është arrestuar në Greqi pasi kishte hyrë në territorin helen.
Sipas mediave greke, 53-vjeçari ka refuzuar të japë pëlqimin për ekstradimin në Shqipëri. Vendimi përfundimtar mbi kërkesën e autoriteteve shqiptare do të merret nga organet kompetente gjyqësore greke.
Shtufi kërkohet nga drejtësia shqiptare në kuadër të hetimeve për një rrjet të dyshuar kriminal të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash. Ai akuzohet për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, duke përfshirë fonde që dyshohet se rrjedhin nga trafiku i lëndëve narkotike, si dhe për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe grup të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes hetimore, veprat penale për të cilat akuzohet dyshohet se janë kryer në vitin 2020 në Tiranë.
Pas arrestimit, gjykata greke ka vendosur masën e paraburgimit ndaj Shtufit deri në shqyrtimin e kërkesës për ekstradim dhe marrjen e një vendimi përfundimtar nga autoritetet gjyqësore të Greqisë.