Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mbron investimin në Zvërnec dhe Sazan: Tokat në Zvërnec janë private, mbështesim investimet e huaja


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbrojtur projektet e investimeve të parashikuara në Sazan dhe Zvërnec, duke deklaruar se forca politike që ai drejton mbështet investimet e huaja, për sa kohë ato respektojnë mjedisin dhe ligjin.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha kritikoi ashpër kundërshtarët e projektit, duke i cilësuar ata si hipokritë dhe duke kujtuar se ideja për zhvillimin e ishullit të Sazanit përmes investimeve të huaja nuk është e re.

“Ata që qajnë elegjinë e Sazanit janë një grup hipokritësh. Le të derdhin lot krokodili sa të duan, sepse për Sazanin jam marrë vetë drejtpërdrejt dhe është marrë edhe paraardhësi im, Fatos Nano. Ua kemi ofruar investitorëve dhe nuk bëhet fjalë për një investim të thjeshtë,” deklaroi Berisha.

Kreu i demokratëve tha se qëndrimi i tij pozitiv ndaj investimit të propozuar disa vite më parë nga kompania Affinity e Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, lidhej me potencialin ekonomik dhe financiar të projektit.

“Pavarësisht se Trump nuk ishte në pushtet në atë kohë, unë kam qenë plotësisht dakord. Arsyeja ishte e thjeshtë: investimi kishte mbështetje financiare reale dhe ishte në interes të zhvillimit të vendit,” u shpreh ai.

Berisha foli edhe për një investim të dështuar në Gjirin e Lalzit, duke pretenduar se kompania Omnix ishte larguar nga Shqipëria për shkak të presioneve dhe ndikimit të grupeve kriminale.

Sipas tij, projekti në Sazan nuk përbën kërcënim për natyrën apo biodiversitetin e ishullit.

“Asgjë nuk prishet aty. Çudia e Sazanit nuk janë brigjet apo deti, por bimësia e mrekullueshme që ekziston në një ishull pa ujë. Kjo bimësi do të ruhet,” deklaroi ai.

Duke bërë dallimin mes dy zonave, Berisha theksoi se Sazani është pronë publike, ndërsa Zvërneci përbëhet kryesisht nga prona private.

“Sazani është tokë publike. Zvërneci është tokë private në tërësinë e tij. Është zonë e banuar, ku njerëzit kanë jetuar historikisht,” tha kreu i PD-së.

Në përfundim, Berisha rikonfirmoi mbështetjen e Partisë Demokratike për investimet e huaja, duke theksuar se ato duhet të zhvillohen paralelisht me mbrojtjen e mjedisit.

“Ne mbështesim investimin e huaj, por jemi një parti që qëndron plotësisht për respektimin e mjedisit,” përfundoi ai.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur projekti në Zvërnec ka shkaktuar debate të forta politike dhe protesta të njëpasnjëshme nga aktivistë dhe qytetarë që kundërshtojnë ndërtimet në zonat e mbrojtura.