
Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar reagimet e fundit kundër projektit të planifikuar në Zvërnec si pjesë e një forme të asaj që ai e quajti “luftë hibride”, duke pretenduar se çështjet mjedisore po përdoren për të ndikuar opinionin publik dhe për të nxitur tensione.
Gjatë një deklarate për mediat, Rama tha se Shqipëria disponon kapacitete të avancuara në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe se institucionet kanë informacion mbi burimin e fushatave të tilla.
“Kush nuk ka kuptuar nuk ka për të kuptuar as me fjalën e agjencive ligjzbatuese. Dihet botërisht, sepse për këtë jemi të respektuar edhe brenda NATO-s, kemi një nga mbrojtjet më të forta kundër terrorit kibernetik dhe kemi një pasqyrë të plotë se nga vijnë e nga shkojnë, por ky është territor i terrorit kibernetik që ka ardhur edhe në vendin tonë”, deklaroi Rama.
Sipas tij, ekzistojnë studime të shumta që tregojnë se aktorë dhe vende që kundërshtojnë zgjerimin dhe ndikimin e Bashkimit Europian nxisin situata të ngjashme në vende të ndryshme.
“Janë të panumërta burimet që kanë nxjerrë studime se si vendet kundër BE-së organizojnë e nxisin situata të kësaj natyre, sidomos duke përdorur mjedisin sepse është një çështje e ndjeshme”, u shpreh kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur protestat kundër projektit në Zvërnec kanë vijuar për disa ditë radhazi, ndërsa kundërshtarët e investimit kërkojnë anulimin e tij, duke argumentuar se prek një zonë të mbrojtur me rëndësi mjedisore.