Një nismë e re ligjore e depozituar nga Partia Demokratike synon të përjashtojë pensionistët e punësuar nga detyrimi për të paguar kontribute të sigurimeve shoqërore, por propozimi nuk po gjen mbështetjen e qeverisë.
Projektligji është paraqitur nga deputeti i PD-së, Igli Cara, dhe parashikon që pensionistët që vijojnë të punojnë pas daljes në pension të mos paguajnë më sigurime shoqërore, me argumentin se ata kanë kontribuar për dekada në skemën e pensioneve.
“A është apo jo e drejtë që një pensionist, pasi ka kontribuar 39 vite, të vazhdojë të kontribuojë në skemë? Ai mund të ndërrojë jetë pas 10 vitesh. A është kjo e drejtë? Kjo s’ka sens logjik. Po flasim për një kategori që vazhdon të punojë për shkak të pensioneve të ulëta,” u shpreh Cara gjatë diskutimeve në komisionet parlamentare.
Sipas tij, kostoja financiare e kësaj mase do të ishte rreth 18 milionë euro, por ajo do të ndihmonte një kategori qytetarësh që vazhdon të jetë aktive në tregun e punës për shkak të vështirësive ekonomike.
Projektligji parashikon që përjashtimi nga pagesa e kontributeve të zbatohet për një periudhë katërvjeçare.
Megjithatë, qeveria ka dalë kundër nismës. Zëvendësministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, argumentoi se një masë e tillë do të dëmtonte skemën e sigurimeve shoqërore dhe do të cenonte parimin e kontributit.
“Kjo do të ulte të ardhurat e skemës. Fillimisht cenohet parimi kontributiv i skemës, duke thelluar më tej deficitin dhe duke krijuar trajtim të diferencuar,” deklaroi Manjani.
Ajo bëri të ditur se qeveria po shqyrton alternativa të tjera në kuadër të reformës së re të pensioneve, e cila ende nuk është finalizuar.
Sipas Manjanit, një nga opsionet që po diskutohet është që kontributet e paguara nga pensionistët pas arritjes së moshës së pensionit të reflektohen drejtpërdrejt në përfitimet e tyre.
“Po shqyrtojmë një qasje që kontributet e paguara nga pensionistët pas arritjes së moshës së pensionit të njihen dhe të reflektohen. Ose përmes një rillogaritjeje të pensionit, ku kontributet shtesë të ndikojnë në masën e pensionit, ose përmes dhënies së një bonusi për çdo vit sigurimi shtesë,” shpjegoi ajo.
Sipas qeverisë, kjo formulë ruan parimin kontributiv të skemës dhe njëkohësisht krijon stimuj për pensionistët që të vijojnë të jenë pjesë e tregut formal të punës.
Referuar të dhënave të paraqitura në relacionin e projektligjit, aktualisht janë rreth 13 mijë pensionistë në Shqipëri që vazhdojnë të punojnë dhe të paguajnë kontribute të sigurimeve shoqërore.
Mbështetësit e nismës argumentojnë se përjashtimi nga kontributet do të rriste të ardhurat e pensionistëve, do të ulte barrën financiare mbi ta dhe do të nxiste formalizimin e mëtejshëm të punësimit në këtë kategori.
