Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e tretë kundër projektit në Zvërnec, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë


Ka nisur pasditen e së hënës protesta e tretë radhazi në Tiranë kundër projektit të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë për të kundërshtuar investimin e planifikuar në këtë zonë.

Tubimi vjen pas protestave të zhvilluara gjatë ditëve të fundit, të cilat kanë shënuar një pjesëmarrje në rritje. Një ditë më parë, mijëra qytetarë protestuan fillimisht para Ministrisë së Brendshme dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Pjesëmarrësit në protestë kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec, duke argumentuar se ai prek një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë mjedisore dhe natyrore.

Sipas protestuesve, projekti përbën një ndërhyrje të papranueshme në një pasuri publike, ndërsa akuzojnë qeverinë se po favorizon interesa private në dëm të interesit publik.

Gjatë tubimit para Kryeministrisë janë dëgjuar thirrje dhe slogane kundër klasës politike, ndërsa protestuesit kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të projektit.

Mes parrullave të brohoritura gjatë protestës ishin “Rama burg, Berisha burg”, “Shqipëria nuk është për shitje” dhe “Shqipëria e shqiptarëve”.

Protesta e sotme zhvillohet në një klimë tensionesh të shtuara pas incidenteve të raportuara gjatë protestës së së shtunës në Zvërnec, ku sipas denoncimeve publike pati përplasje mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë private.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale, ku një protestues shihej duke u tërhequr zvarrë, kanë shkaktuar reagime të shumta politike dhe qytetare, duke rritur mobilizimin kundër projektit.

Organizatorët kanë deklaruar se kundërshtimi ndaj ndërtimeve në zonat e mbrojtura do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa kërkojnë transparencë të plotë për projektin dhe pezullimin e çdo veprimi në terren deri në sqarimin e situatës.

Motoja e protestës së tretë është: “Mbrojmë tokën, njerëzit, të ardhmen.”