
SHBA-ja deklaroi se gjatë fundjavës goditi objekte ushtarake iraniane, ndërsa Garda Revolucionare e Iranit njoftoi të hënën se kishte vënë në shënjestër një bazë amerikane si kundërpërgjigje. Ky është shkëmbimi më i fundit i sulmeve mes dy vendeve, ndërsa vazhdojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në muajin e tretë.
SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer herë pas here sulme që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në fillim të prillit, ndërsa përpjekjet diplomatike për një marrëveshje më të qëndrueshme po ecin ngadalë. Një shkëmbim i ngjashëm ndodhi edhe të enjten e kaluar dhe u përshkrua pothuajse me të njëjtat terma nga të dyja palët, shkruan Reuters.
Goditjet amerikane të kryera gjatë fundjavës në bregdetin e Gjirit Persik të Iranit erdhën si përgjigje ndaj “veprimeve agresive iraniane, të cilat përfshinin rrëzimin e një droni amerikan MQ-1 që po operonte mbi ujëra ndërkombëtare”, tha Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në një postim në X.
“Avionët luftarakë amerikanë reaguan me shpejtësi duke shkatërruar sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore, një stacion kontrolli tokësor dhe dy dronë sulmues njëdrejtimësh që përbënin kërcënim të qartë për anijet që lundronin në ujërat e rajonit”, deklaroi CENTCOM.