Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi në seancë plenare, në rend dite komisionet parlamentare dhe çështjet e qytetarëve



Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot në orën 17:00 seancën plenare, ku deputetët do të shqyrtojnë disa projektvendime që lidhen me organizimin dhe funksionimin e komisioneve të përhershme parlamentare, si dhe do të diskutojnë çështje të ngritura nga zgjedhësit.

Në fillim të seancës pritet të miratohet procesverbali i mbledhjes së mëparshme, ndërsa më pas deputetët do të shqyrtojnë projektvendimin për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit.

Gjithashtu, në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për caktimin e përbërjes së komisioneve të përhershme, si dhe projektvendimi për emërimin e anëtarëve zëvendësues në këto struktura parlamentare.

Në pjesën e dytë të seancës do të zhvillohen diskutime për çështje të evidentuara nga qytetarët. Debati është parashikuar të zgjasë deri në katër orë dhe koha do të ndahet mes grupeve parlamentare dhe deputetëve jashtë grupeve.

Sipas ndarjes së miratuar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë në dispozicion 142 minuta diskutim, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike 60 minuta, ndërsa Aleanca për Ndryshim dhe Partia e Lirisë nga 12 minuta secila. Deputetëve jashtë grupeve parlamentare u janë caktuar gjithsej 16 minuta kohë diskutimi.