Vendosni fjalën kyçe....

Një senator i lidhur me Soros futi në axhendë Jared Kushner dhe Tiranën


Kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, u përball me pyetje të drejtpërdrejta në Senatin amerikan lidhur me investimet e Jared Kushner në Shqipëri, si dhe me shqetësimet për ndikimin e mundshëm të interesave private të familjes Trump në Ballkan.

Gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e tij, senatori demokrat i Connecticut-it tepër i lidhur me rrjetin Soros, Chris Murphy, ngriti shqetësime për një sërë projektesh në rajon, duke përfshirë edhe investimet e lidhura me Shqipërinë. Ai gjithashtu përmendi edhe faktin që disa nga konsulentët politikë të presidentit Trump po fitojnë miliona dollarë duke këshilluar opozitën shqiptare, por pa prekur asnjë çështje në lidhje me kryeministrin Rama dhe problemet e kabinetit të tij qeveritar me drejtësinë.

“Zoti Kryetar, ka një listë shqetësuese dhe gjithnjë në rritje shembujsh në rajonin e Ballkanit, ku familja Trump dhe aleatët politikë të presidentit po përpiqen të përdorin afërsinë e tyre me pushtetin për t’u pasuruar. Është rasti i hotelit Trump që propozohej të ndërtohej në Beograd, projekt i cili dështoi mes një hetimi të madh për korrupsion lidhur me lejet që me shumë gjasë nuk duhej të ishin dhënë. Është rasti i aleatit të Trump, Michael Flynn, si dhe avokatit personal të presidentit gjatë fushatës zgjedhore, të cilëve u është dhënë miratimi për të ndërtuar një gazsjellës fitimprurës me vlerë miliona dollarë në rajon, pavarësisht se këta dy individë nuk kanë asnjë përvojë në infrastrukturën energjetike. Madje, aktualisht ekziston një situatë emergjente në Shqipëri, ku disa nga konsulentët politikë të presidentit po fitojnë miliona dollarë duke këshilluar opozitën,” deklaroi Murphy.

Senatori amerikan tha se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit, por paralajmëroi se diplomatët amerikanë nuk duhet të përdoren për të favorizuar interesa private.

“Në Shqipëri, një vend që ka bërë shumë përparim në luftën kundër korrupsionit, unë shqetësohem se diplomatëve tanë në rajon po u kërkohet të lehtësojnë këto kontrata, të cilat nuk janë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara, por që po mbushin xhepat e vetë Trumpit, familjes së tij dhe miqve të tij. Prandaj dua një angazhim personal nga ju se nuk do të përfshiheni në përpjekje për të lehtësuar marrëveshje biznesi që nuk janë në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara, por që i shërbejnë interesave të njerëzve pranë presidentit.”

Murphy shtoi më tej:

“Në përpjekjen tonë të kahershme për të luftuar korrupsionin në Shqipëri – një vend mik i madh i Shteteve të Bashkuara, por që ende ka nevojë të bëjë përparim në këtë drejtim – ambasada jonë atje duhet të jetë e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, jo të ndihmojë në mundësimin apo lehtësimin e tij.”

Nga ana e tij, Eric Wendt deklaroi se nuk ka dijeni për investimet private të familjes së presidentit amerikan në Shqipëri dhe se si ambasador do të trajtonte të gjitha bizneset amerikane në mënyrë të barabartë.

“Nuk jam i informuar për investimet personale të familjes së presidentit në Shqipëri, por nëse ka pyetje lidhur me aktivitetet apo ndërveprimet e tyre personale, do t’ju drejtoja tek ata vetë për përgjigje. Unë e di se detyra ime si ambasador i Shteteve të Bashkuara është të mbështes bizneset amerikane dhe, nëse ato zhvillojnë aktivitet në një vend, t’i trajtoj të gjitha si biznese amerikane, pa trajtim preferencial apo diskriminues bazuar në individë apo personalitete të caktuara.”

Ai shtoi se prioritet i tij do të jetë respektimi i shtetit ligjor dhe konkurrenca e ndershme.

“Detyra ime është të sigurohem që gjërat të bëhen në mënyrën e duhur, që të respektohet shteti ligjor, që rregullat të zbatohen dhe që të ekzistojë një fushë loje e barabartë për të gjithë.”

Wendt vlerësoi gjithashtu punën e SPAK-ut në Shqipëri.

“Pjesa e dytë që përmendët lidhet sërish me korrupsionin. Jam dakord që SPAK-u, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga sa kam lexuar, ka qenë shumë efektive. Pres me padurim të jem në terren për të kuptuar realisht se çfarë po ndodh dhe çfarë nuk po ndodh.”

Në replikën e tij, Murphy këmbënguli se aktualisht perceptimi është se jo të gjitha bizneset gëzojnë të njëjtat mundësi.

“Mendoj se shprehja që përdorët, ‘të sigurohemi që fusha e lojës të jetë e barabartë’, është gjëja më e rëndësishme. Sepse aktualisht nuk duket se është e barabartë. Duket sikur, nëse je mik i presidentit, ke avantazhe, madje edhe nga ambasada, për të shtyrë përpara marrëveshjet e tua të biznesit.”

Senatori vijoi:

“Sigurisht që detyra juaj është të mbroni interesat e Shteteve të Bashkuara, por ne duam të sigurohemi që çdo biznes amerikan, jo vetëm ata që kanë lidhje me presidentin, të ketë mundësinë të bëjë biznes në Ballkan. Faleminderit.”

Në përfundim, kandidati për ambasador dha një zotim publik para senatorëve.

“Dhe unë mund t’ju jap këtë zotim, senator. Do të sigurohem që të mbështes dhe të përfaqësoj bizneset amerikane në mënyrë të barabartë. Faleminderit të gjithëve.”