Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar në Kuvend zhvillimet e fundit që lidhen me protestat në Zvërnec dhe debatin për projektin e investimit në zonë, duke akuzuar qeverinë se po largon investitorët e huaj dhe po cenon të drejtën e pronës.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ironizoi kryeministrin Edi Rama për qëndrimet e mbajtura lidhur me projektin në Zvërnec.
“Rama fliste sikur të ishte lubia,” u shpreh kreu i opozitës, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, qeveria po trajton kundërshtimet e banorëve dhe protestuesve.
Berisha theksoi se Partia Demokratike mbështet investimet e huaja, por pretendoi se politikat e qeverisë po dekurajojnë investitorët.
“PD mbështet investimin e huaj dhe ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Mbajeni shënim, po e largoni. Vetë tha ai, më votuat mua. E hoqi maskën. Britma për çështje pronësie, PD qëndron për respektin e plotë absolut të të drejtës së pronës,” deklaroi Berisha.
Duke iu referuar incidentit të ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, lideri demokrat kritikoi ndërhyrjen e sigurisë private ndaj një protestuesi, duke pretenduar se ngjarja u paraqit ndryshe nga sa treguan pamjet filmike.
“Qytetari u rrëmbye barbarisht dhe u zvarrit, ndërsa më pas dolën komunikatat se kishte hyrë në territor. Kur dolën videot, u pa e kundërta,” tha ai.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për mënyrën e trajtimit të protestuesve dhe pretendoi se janë shkelur të drejtat e qytetarëve që kanë kundërshtuar projektin në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në një kohë kur debati mbi projektin në Zvërnec ka shkaktuar reagime të shumta politike, protesta qytetare dhe qëndrime të ndryshme nga aktorë vendas e ndërkombëtarë lidhur me çështjet e pronësisë, mbrojtjes së mjedisit dhe investimeve në zonat e mbrojtura.
