Vendosni fjalën kyçe....

BE-ja zgjeron sanksionet ndaj Hamasit, përfshihen anëtarë të lartë



Bashkimi Evropian ka vendosur të zgjerojë listën e sanksioneve ndaj Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez, duke përfshirë për herë të parë edhe figura të larta të strukturës politike të Hamasit, përcjell Euronews.

Në vendimin e publikuar të premten, BE-ja ka vendosur masa kufizuese ndaj dhjetë anëtarëve të Politburo-së së Hamasit, të cilëve u ndalohet udhëtimi në vendet e unionit dhe u bllokohen asetet. Po ashtu, ndalohet çdo formë financimi apo vënia në dispozicion e burimeve ekonomike për ta, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi.

Në listën e sanksionuarve përfshihen, mes të tjerëve, Nizar Mohammed Awadallah, Mohammad Nazzal, Husam Badran, Khaled Mashal, Khalil Al-Hayya, Muhammad Ismail Darwish, Zaher Jabarin, Abu Khalil Al-Quds, Fathi Hamad dhe Moussa Abu Marzouk.

Sipas deklaratës së Këshillit të BE-së, anëtarët e kësaj strukture politike konsiderohen vendimmarrës që kanë njohuri mbi planifikimin, përgatitjen dhe ekzekutimin e sulmeve të dhunshme të organizatës.

“Si vendimmarrës të organizatës, anëtarët e Politburo-së kanë njohuri për planifikimin, përgatitjen dhe ekzekutimin e veprimeve të dhunshme të Hamasit. Ata i mbrojnë dhe justifikojnë këto veprime, shpesh duke paralajmëruar dhe kërcënuar publikisht sulme të ardhshme,” thuhet në deklaratë.

BE-ja theksoi gjithashtu se mbetet e angazhuar për arritjen e një paqeje të qëndrueshme në Gaza, ndërsa çarmatimi i Hamasit konsiderohet një kusht thelbësor për çdo proces të mëtejshëm politik.

Paralelisht, Këshilli Evropian ka vendosur sanksione edhe ndaj katër subjekteve dhe tre individëve të lidhur me kolonë izraelitë ekstremistë, të cilët akuzohen për shkelje të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor, përfshirë të drejtën e pronës, integritetin fizik dhe lirinë fetare.

Në një zhvillim të lidhur, autoritetet izraelite njoftuan këtë javë eliminimin e një prej drejtuesve të rinj të krahut ushtarak të Hamasit, Mohammed Odeh, në një operacion në Gaza City, pas muajsh monitorimi të inteligjencës.