Vendosni fjalën kyçe....

Rama për vrasjen e ish-kryeministrit japonez: Sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq për t’u shkatërruar


 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me atentatin ndaj ish-kryeministrit japonez, Shinzo Abe.

Ndërsa shpreh ngushëllimet e tij për familjen e ish-kryeministrit dhe popullin japonez, Rama shprehet se kjo ngjarje trondit themelet e demokracisë.

“I tronditur dhe i pikëlluar nga vdekja e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Ngushëllimet tona më të thella familjes së tij dhe popullit të Japonisë. Vrasja e tij nxjerr në pah se sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq për t’u shkatërruar dhe jo si kundërshtarë për t’u angazhuar!”- shkroi Rama.

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe ka ndërruar jetë sot në spitalin ku po merrte trajtim mjekësor, pas sulmit me armë ndaj tij gjatë një mitingu.

67 vjeçari, i cili mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua duke mbajtur një fjalim në fushatë. Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit Nara ku ndodhi ngjarja, konfirmoi se ish-kryeministri kishte marrë një plagë në anën e djathtë të qafës si dhe në klavikulën e majtë.